Baldovaliev te Bellasica! Ja çfarë thotë vetë futbollisti

Ditëve të fundit nëpër mediat maqedonase doli lajmi se Zoran Baldovaliev, i cili u la i lirë nga Akademia Pandev për të zgjedhur skuadrën e tij të re pasi i përfundoi kontrata me të njëjtit, ka nënshkruar me ekipin e Bellasicës, që sezonin e ri futbollistik do të garojë në Ligën e Parë.

Megjithatë një lajm i tillë ka habitur edhe vetë futbollistin, i cili të dielën është rikthyer në vendlindjen e tij pas një pushimi të shkurtë në Dubai. Ai në një intervistë për “infOSport.mk” tha se nuk ka asgjë të vërtetë, përveç interesimit dhe se deri më tani nuk ka  nënshkruar me asnjë skuadër.

“Nuk ka asgjë të vërtetë. Janë vetëm fjalë boshe. Unë tani sa jam kthyer nga Dubai, sinqerisht nuk e di kush paska qenë ai që ka nënshkruar në vend timin. Ka interes, mirëpo ende nuk kam menduar në këtë drejtim. Dua të pushoj edhe disa ditë dhe më pas do të vendos rreth të ardhmes sime” – u shprej enkas për “infOSport.mk”, Zoran Baldovaliev.

Futbollisti 35-vjeçar i cili vitin e kaluar u rikthye në futbollin vendor pas aventurës së tij disa vjeçare nëpër Europë, sezonin që lamë pas ishte ndër futbollistët më të mirë te skuadra e Akademia Pandev, për të cilën në 28 ndeshje realizoi 14 gola, duke u renditur pas dyshes së Shkëndijës Ibraimi-Hasani në renditjen e përgjithshme të golashënuesve në LPFM.

Leave a Reply