Golden Stejt e nis me këmbë të mbarë serinë finale ndaj Klivlendit (VIDEO)

Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme seria e finaleve të mëdha në NBA për kampionët në fuqi të Golden Stejt, të cilët dolën fitues në betejën e parë ndaj Klivlend Kavaliers, duke mundur këta të fundit me rezultatin 124:114, mirëpo vetëm pas kohës shtesë, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 107:107.

Është ky viti i katërt me rradhë që Golden Stejt dhe Klivlend Kavaliers po sfidojnë njëra-tjetrën në aktin e fundit të sezonit në basketbollin amerikan, me një mision të vetëm të fitojnë titullin e kampionit.

Përballja e parë e zhvilluar në “Oracle Arena” ishte një spektakël më vetë me LeBron Xhejms që zhvilloi një tjetër ndeshje të jashtëzakonshme por në fund u tradhëtua nga shokët e skuadrës.

51 pikë, 8 asiste dhe 8 rikuperime, ishin këto statistikat fenomenale të mbretit Xhejms, që individualisht tregoi se është shumë më lart se yjet e Golden Stejt, Keri dhe Durant por edhe në basketboll ashtu siç në çdo sport tjetër diferencën e bën grupi dhe jo individi.

Pjesa e parë ishte e barabartë dhe e njëjta u mbyll me barazimin 56:56. Në periudhën e tretë vendasit e rritën ndjeshëm ritmin dhe në fund të këtij 12-minutëshi Golden Stejt ishte në avantazhin e 6 pikëve.

U duk sikur morri drejtim sfida në “Oracle Arena” me “uarriorsat” që ishin pranë fitores, por Xhejms dhe Klivlend nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit.

LeBron mori për dore të tijët në periudhën e  katërt, duke barazuar shifrat në 107:107. E pabesueshme ajo që ndodhi në sekondat e fundit me J.R Smith që harroi rezultatin dhe me idenë se “kavaliersat” ishin në avantazh nuk tentoi gjuajtjen që mund t’i kishte dhënë fitoren Klivlendit.

Një gabim që peshoi shumë për skuadrën nga Ohio, sepse në shtesë Golden Stejt nxorri më të mirën nga repertori i saj duke bllokuar mbretin Xhejms për të marrë në fund një fitore me shifrat 124:114.

Më i spikatur në rradhët e Golden Stejt në këtë ndeshje doli të jetë Stefan Keri me 29 pikë të realizuara, i ndjekur nga Kevin Durant me 26 dhe Klej Tompson me 24 pikë. Ndeshja e dytë finale do të zhvillohet sërish në “Oracle Arena”, ku Golden Sstejt do të tentojë të shfrytëzojë parketin vendas dhe të shënojë edhe fitoren e dytë, që do shihte ata shumë afër titullit të rradhës kampion.

Leave a Reply