E vërtetuan edhe mjekët, gabimet e Karius si pasojë e goditjes së Ramos

Portieri i Liverpullit, Loris Karius, pësoi një tronditje e cila mund të ketë ndikuar në paraqitjen e tij finale të Ligës së Kampioneve kundër Realit të Madridit, ku në fund ekipi i tij u mund me rezultatin 1:3 falë edhe dy gafave të tij trashanike.

Tani nuk është më pretendim i tifozëve të acaruar, është një konfirmim i një kontrolli të hollësishëm që i është bërë portierit nga mjekët e spitalit në Boston.

Menjëherë pas ndeshjes kishte një aludim se Karius pësoi një tronditje pas një përplasje me Serhio Ramos në pjesën e dytë, pak minuta para se të bënte gafën e parë duke i dhuruar topin Benzemas.

Ramos e përplasi në tokë me një goditje me bërryl në kokë dhe të gjithë filluan të dyshonin se ai kishte pësuar tronditje.

Mjekët e spitalit lëshuan një deklaratë për shtyp, duke konfirmuar se ai kishte pësuar një tronditje në ndeshjen e 26 majit.

“Në momentin e testimit, simptomat e z. Karius dhe sinjalet sugjeronin që ekzistonte disfunksioni i shikueshmërisë, që me shumë mundësi ndodhi si vijimësi e ngjarjes. Ekzistonin edhe simptoma të tjera, ndaj është e mundur që këto deficite të ndikonin paraqitjen e tij”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga mjekët amerikan të spitalit në Boston.

Leave a Reply