FC Shkupi ndezi motorët, në stërvitjen e parë i pranishëm edhe Muarem Muarem

Skuadra e FC Shkupit ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, me 6 qershor nisi përgatitjet për sezonin e ri si dhe sfidat që e presin këtë skuadër në ndeshjet eliminatore të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Në thirrjen e parë të trajnerit Zekirja Ramadani kishte edhe disa mungesa me arsye, ku futbollistët si Rron Broja, Basilio Ndong dhe Mariano Ondo kanë marrë edhe disa ditë pushim nga trajneri shkaku i ndeshjeve që kishin me përfaqësueset e tyre, ndërsa gjithashtu u është dhënë leje për pak më shumë pushime edhe Bazhe Ilijoskit, Bllagoja Ljamçevskit, Toni Tipuriçit dhe Stefan Vujçiçit.

Ditëve të para trajneri Ramadani nuk planifikon që të ngarkojë shumë ekipin, duke filluar me stërvitje të lehtë, që do të jetë edhe një uverturë për fazën e dytë.

Shkupi do të vazhdojë me stërvitje në Shkup deri në fund të muajit qershor, ku pritet që të ketë edhe ndonjë ndeshje kontrolluese, ndërsa pasi që të bëhet tërheqja e shortit do të mësohet edhe dita kur do të udhëtohet për në Turqi, ku edhe do të zhvillohet faza kryesore e përgatitjeve.

Para futbollistëve pasi që foli trajneri Ramadani, futbollistët për punën e bërë gjatë sezonit të kaluar i përgëzoi edhe pronari i klubit Shefshet Demiri, i cili edhe një herë potencoi se do të bëjë të pamundurën që të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre, ndërsa nga ta pret që të përmbushin pritmëritë si ndaj kryesisë dhe stafit, poashtu edhe ndaj numrit të madh të tifozëve.

Në grumbullimin e parë ishte edhe përforcimi i ri Muarem Muarem, i cili sot u prezantua me fanellën “bardhekaltër”, ndërsa nga dita e nesërme edhe ai do të jetë pjesë e stëvitjeve.

Leave a Reply