Rabotniçki, goditje të dyfishtë në merkato, sjellë ish futbollistin e Metalurgut!

Rabotniçki po tregohet shumë aktiv në këtë fillim merkatoje në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga “Debar Maalo” gjatë ditës së sotme ka zyrtarizuar kontratat me dy futbollistë nga Serbia.

Futbollistë të rinj të “romantikëve” janë mesfushori Ljubomir Stevanoviç dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Dushan Steviç.

31-vjeçari Stevanoviç është një emër i njohur për futbollin në Maqedoni, pasi edhe më parë ishte pjesë e saj, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Metalurgut. Ai pjesë e skuadrës nga Hekurana ishte për tre vite të plota (2011-2014), ndërsa që nga largimi i tij nga Metalurgu, karrierën e tij e ka zhvilluar vetëm në Greqi, duke veshur fanellat e skuadrave si Kaloni, Trikala, Aris dhe Doxa Dramas, nga e cila skuadër tashmë i bashkohet Rabotniçkit.

Ai me skuadrën shkupjane ka nënshkruar kontratë një vjeçare, teksa 22-vjeçari Dushan Steviç ka firmosur për dy vite. Steviç te “romantikët” vjen nga rradhët e Panseraikos nga Greqia, ndërsa karrierën e tij e kishte filluar në vendlindje te skuadra e Radniçki Kraguevac, transmeton “infOSport.mk”.

Rikujtojmë ditë më parë drejtuesit e Rabotniçkit bënë për vete edhe Oliver Peev dhe Filip Petkovskin, duke çuar në 4 numrin e përforcimeve të reja në prag të sezonit të ri, ku fillimisht do i presin garat eliminatore në Liga Europa.

Leave a Reply