Godet Struga Trim Lum, transferon sulmuesin e Renovës

Struga Trim Lum vazhdon me super transferime në kuadër të merkatos së verës, që tregon qartë ambiciet e këtij klubi me një super staf drejtuesish, që asnjëherë nuk janë të kënaqur me të arriturat e tyre, shkruan “infOSport.mk”.

Ata gjithnjë kërkojnë më shumë, ndërsa qëllimi i tyre këtë vit është ngjitja në elitën e futbollit vendor. Dhe kur kihet parasysh se pas vetes kanë një sponzor të fuqishëm dhe mjaft serioz si “Trim-Lum”, atëherë gjithçka është e mundur, dhe shumë lehtë mund të ndodh që vitin tjetër qyteti i bukur i Strugës të përfaqësohet në elitën e futbollit vendor, pikërisht me ekipin e Struga Trim Lum.

Këta të fundit së fundmi kanë bërë një super goditje në merkato, duke nënshkruar kontratë me sulmuesin e Renovës, Dejan Cvetanoski. 28-vjeçari ka një bagazh mjaft të madh në elitën e futbollit vendor, ndërsa përvoja e tij me siguri se do të jetë e mirëseardhur për skuadrën strugane në sezonin e ri.

Ai numëron gjithsej 180 ndeshje në kuadër të Ligës së Parë, ku ka realizuar edhe 24 gola, ndërsa përveç Renovës, gjatë karrierës së tij ka veshur edhe fanellën e skuadrave, si Napredoku, Horizont Turnova, Mladost Carev Dvor, Pelisteri, Teteksi dhe Pobeda, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe për Struga Trim Lum ky është përforcimi i pestë, pas Nijaz Lenës, Altin Llogës, Aleksandar Dalçeski dhe Valentin Koçoski.

Leave a Reply