Talalajev: Arritëm qëllimin që të mbrohemi dhe të ndëshkojmë Vardarin

Pjunik edhe në ndeshjen e dytë ka shënuar fitore ndaj skuadrës përfaqësuese të Maqedonisë në Liga Europa, Vardarit. Pas fitores 1:0 në shtëpi, sonte të besuarit e trajnerit Talalajev në Shkup shënuan fitore me rezultatin 2:0, gola këto që erdhën në 5 minutëshin e fundit të takimit. Trajneri i skuadrës armene tha se në këtë mënyrë skuadra e tij e arriti qëllimin, pasi kishte qenë i vetëdijshëm se me një mbrojtje të mirë dhe me kundërzbritje do të mund ti bënte ballë Vardarit.

“Mendoj se e bëmë shumë mirë punën tonë. Me vetëdije prisnim që Vardari të hapet dhe ta ndëshkojmë. Mendoj se mjaft mirë i’a arritëm qëllimit, pasi përveç që u mbrojtëm mirë, arritëm që të godasim kundërshtarin. Kishim dy raste mjaft të mira edhe gjatë pjesës së parë, mirëpo e njëjta u mbyll me barazim pa gola. Në pjesën e dytë u pozicionuam edhe më mirë, duke e ditur se Vardari do të na sulmonte edhe më shumë. Zëvendësimet që i bëmë na e sollën këtë  fitore, ashtu që mund të them se jemi të kënaqur me paraqitjen tonë” – tha trajneri i Pjunik, Andrej Talalajev në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë pas përfundimit të ndeshjes.

Skuadrën e Pjunik në raundin e dytë eliminatorë të Liga Europa e pret përballja kundër kazakëve të Tobol, ndërsa Vardarin ndeshjet në Ligën e Parë, me sezonin e ri që starton me 5 gusht. Deri atëherë “kuqezinjëve” u mbetet të përgatiten sa më mirë, për të patur një paraqitje të denjtë në kampionat, duke pasur parasysh se tashmë përveç Shkëndijës që është ndër kandidatët kryesor për të mbrojtur titullin e kampionit, konkurrent të mëdhenj do të ketë edhe te FC Shkupi, Rabotniçki dhe Sileksi, skuadra këto që kanë bërë disa lëvizje të mira në merkato.

Leave a Reply