Kollina largohet nga UEFA, e zëvendëson një tjetër italian

Një rotacion tërësisht italian në majat e arbitrazhit europian. Pierluixhi Kollina jep dorëheqjen nga posti i kryedizenjatorit të arbitrave të UEFA-s, e në vend të tij do të nominohet Roberto Rosetti, përgjegjësi aktual italian i videoarbitrimit, VAR.

Largimi i Kollinës ndodh për motive personale. Ai në postin e kryedizenjatorit të arbitrave për kompeticionet e zhvilluara në kontinentin e vjetër u emërua në vitin 2010, pas telefonatës që i bëri ish-presidenti i atëhershëm Mishel Platini.

Gjithsesi, 7 herë fituesi i çmimit “Arbitri më i mirë i vitit” do të mbajë rolin e presidentit të Komisionit të arbitrave në FIFA, post që e ka marrë nga janari i vitit 2017-të.

“Pierluixhi i ka garantuar UEFA-s të njëjtin vizion, mirëkuptim dhe talent, që ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka gjykuar. Dua ta falënderoj për impenjimin në këto vite dhe për gjithçka ka sjellë në futbollin europian gjatë periudhës së drejtimit të tij si përgjegjës i arbitrimit” – deklaroi presidenti aktual i UEFA-s, Aleksander Çeferin.

“Ishte një privilegj për mua të punoja si kreu i arbitrave të UEFA-s në këto 8 vite. Jam krenar për rezultatet e arritura së bashku me kolegët e mi”, kishte shkruar vetë Kollina në letrën e largimit.

Roberto Rosetti, 50 vjeç, ka qenë arbitër ndërkombëtar nga viti 2002 deri në vitin 2010, kur edhe u tërhoq. Momenti më i spikatur i karrierës së tij është ai gjatë Europianit të vitit 2008, kur gjykoi ndeshjen hapëse dhe atë finale.

Në vitin 2008 iu dorëzua çmimi “arbitri më i mirë i botës”, ndërkohë që ka qenë përgjegjës për VAR-in gjatë Botërorit të fundit në Rusi.

Leave a Reply