Gabimi i parë i kampionëve, një gol me dorë dhe tre shtylla i pamundësuan fitoren Sitit (VIDEO)

Skuadra e re e inkuadruar në Premierligë, Vulverhemptoni ka arritur që të nxjerrë një pikë në përballjen ndaj kampionëve në fuqi të Mançester Sitit. Ndeshja në “Molino”  u mbyll me barazimin 1:1, teksa të dy golat u realizuan gjatë pjesës së dytë. Në minutën e 57-të Uili Bolli shënoi golin e epërsisë për Vulverhemptonin, kur shfrytëzoi harkimin e Mutinjos, ndërsa edhe pse goli u shënua me dorë nga ana e futbollistit vendas, i njëjti u pranua nga ana e arbitrit kryesor.

Barazimin skuadrës së Sitit i’a solli mbrojtësi Laporte me golin e shënuar me kokë në minutën e 69-të. Të besuarit e trajnerit Guardiola në këtë ndeshje ishin të pafat, pasi në tre raste qëlluan shtyllën, me Agueron në çastet e fundit të takimit, i cili ishte i pafat dhe nuk arriti që të shënojë golin e fitores.

Mançester Siti me këtë barazim vazhdon të qëndrojë në krye të tabelës së klasifikimit me 7 pikë, ndërsa në anën tjetër për Vulverhemptonin ishte ky barazimi i dytë, që e mban këtë skuadër në pozitën e 12-të.

Leave a Reply