Bellasica-FC Shkupi, statistika dhe kuriozitete rreth këtij takimi

Bellasica dhe FC Shkupi është një nga ndeshjet më interesante të javës së 7-të në elitën e futbollit vendor. Edhe pse nuk e nisën mbarë këtë edicion, bazuar në fondin e futbollistëve, traditën dhe armatën e tifozërive që kanë pas vetes këto dy skuadra pritet që nesër të tregojnë një futboll mjaft cilësorë.

SEZONI I RI

Bellasica në 3 xhirot e para pësoi po aq disfata, ndërsa 5 pikët e tubuara i morri në tre javët e fundit, përfshirë këtu dy barazimet ndaj Vardarit dhe Makedonija Gj.P si dhe fitoren në ndeshjen e fundit ndaj Renovës. Ishte kjo fitorja e parë këtë edicion për Bellasicën, ndërsa po ashtu edhe FC Shkupi fitoren e fundit e kishte arritur vetëm këtë fundjavë, kur në Çair mundi Makedonija GJ.P.

MUNGESAT

Te Bellasica nuk ka futbollistë të lënduar, apo suspenduar, ndërsa në anën tjetër te FC Shkupi do të ketë dy mungesa të rëndësishme, edhe atë mbrojtësi Besart Krivanjeva dhe mesfushori Rron Broja (që të dy futbollistë titullarë).

RIVALITETI

Këto dy skuadra kanë një histori bukur të mirë në futbollin vendor. Gjeneratat më të vjetra i mbajnë mend që të dyja nga koha kur udhëhiqeshin nga dy fanatikë të futbollit, Rafet Muminoviç, në kohën e të cilit skuadra nga Çairi shpallej tre herë rradhazi kampion, si dhe Vançe Takovski, në kohën e të cilit Bellasica ju bënte ballë skuadrave favorite si Vardarit, ish Sloga Jugomagnatit, ndërsa pikërisht në kohën e tij Bellasica te Interi kishte shitur dyshen Aco Stojkov dhe Goran Pandev, me këtë të fundit që ende po luan në “Serie A” me fanellën e Xhenoas.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Me blerjet e fundit pak para fundit të merkatos verore Bellasica ka pasuruar dukshëm fondin e futbollistëve, ndërsa pikërisht transferet e bëra bënë që skuadra të stabilizohet dhe të shtojë shpresat e tifozëve të saj se ditë të mira janë duke ardhur për këtë skuadër.

Zoran Baldovaliev mund të konsiderohet si rreziku më i madh për portën kundërshtare, duke mos harruar këtu edhe Filip Ivanovskin, i cili në ndeshjen e fundit ndaj Renovës shënoi gol që në debutimin e tij, ndërsa këtu nuk duhet harruar edhe mesfushorët Drobarov dhe Vujçiç.

Në anën tjetër te FC Shkupi një ndër futbollistët që pritet të shkaktojë kokëdhembje për ekipin vendas të Bellasicës pritet të jetë fantazisti Kristijan Stojkoski, i cili gjithnjë pritet të jetë në ndihmë të treshes më të avansuar Serzhinjo, Viktor Angellov dhe Bazhe Ilijoski.

HISTORIA

Ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave datojnë që para më shumë se një dekade. 3 fitore për Bellasicën, 2 për FC Shkupin dhe një barazim tregojnë 6 ndeshjet e fundit mes tyre, ndërsa gëzon fakti se në çdo ndeshje janë shënuar më shumë se dy gola.

Bazuar nga ndeshjet e fundit, ndeshja e sotme pritet të jetë me shumë paqartësi, ndërsa të pranishmit në stadiumin “Mlladost” në Strumicë pritet të jenë dëshmitarë të një futbolli cilësor.

Leave a Reply