Renova – FC Shkupi, statistika dhe kuriozitete rreth këtij takimi

Java e 8-të dhuron edhe derbin midis skuadrave shqiptare, Renovës dhe FC Shkupit. Të dyja skuadrat nuk e kanë nisur mbarë edicionin e sivjetshëm, me Renovën që vetëm falë fitores në mesjavë arriti që të largohet nga zona e rrezikshme, në të cilën tashmë ndodhet skuadra e FC Shkupit, që në 7 xhirot e para ka marrë vetëm një fitore. Edhe përkundër rasteve ideale në ndeshjen e fundit ndaj Bellasicës në Strumicë, FC Shkupi pësoi disfatë minimale 1:0, që njëherit ishte edhe disfata e katërt, pas atyre ndaj Shkëndijës, Vardarit dhe Akademia Pandevit.

12 NDESHJET E FUNDIT MES TYRE

Në 12 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave janë shënuar gjithsej 31 gola, apo nga 2.6 gola për ndeshje. Në 10 ndeshje gjithnjë ka pasur të paktën një gol, ndërsa dy ndeshje janë mbyllur me barazime pa gola. Në muajin shtator këto dy skuadra janë takuar dy herë, edhe atë një herë në një ndeshje kampionale, kur në Tetovë  kishin barazuar pa gola, ndërsa ndeshja tjetër e zhvilluar gjatë këtij muaji, ishte ajo e 17 shtatorit të vitit 2008, kur në Çair Renova shënonte fitore me rezultatin 2:4.

MUNGESAT

Te Renova edhe në këtë ndeshje do të mungojë mbrojtësi Xhelil Abdullah, i dënuar me 3 ndeshje pas atij kartoni të kuq ndaj Pobedës në kuadër të javës së 5-të, ndërsa te FC Shkupi vazhdon të mungojë Besart Krivanjeva. Ende nuk dihet nëse do të luaj edhe Rron Broja që ankohej në një lëndim në nyje, ndërsa me siguri se trajneri i FC Shkupit pritet të bëjë disa ndryshime në formacion.

RIVALITETI

Bëhet fjalë për dy skuadra që njohin mirë njëra tjetra. Jo që kanë ndonjë rivalitet të madh, përkundrazi kanë raporte të mira.

FUTBOLLISTË  TË DALLUAR

Të dyja skuadrat luajnë një futboll kolektiv, ndërsa me golat e tij te Renova po dallohet 21-vjeçari Vllatko Stojanovski. Falë dopietës së tij, Renova në mesjavë mundi Akademia Pandevin me rezultatin 2:0, ndërsa ky sulmues i talentuar dy gola të tjerë i kishte shënuar edhe në ndeshjen ndaj Rabotniçkit. Pra kur Stojanovski shënon, Renova fiton, pasi pikërisht në këto dy ndeshje skuadra nga Xhepçishti kishte arritur fitore.

RENOVA NË KËRKIM TË FITORES SË PARË SI VENDAS

Renova sot ndaj FC Shkupit do të kërkojë fitoren e parë si vendas. Skuadra nga Xhepçishti në tre ndeshjet e deritanishme ka pësuar dy disfata, ndërsa kishte barazuar vetëm në ndeshjen ndaj Makedonija GJ.P (1:1). Pikërisht goli ndaj skuadrës shkupjane ishte i vetmi i shënuar nga ekipi “bardhekaltër”, duke pasur parasysh se në ndeshjet ndaj Vardarit (0:1) dhe Bellasicës (0:2) kishte pësuar disfata, duke mos shënuar asnjë gol të vetëm.

Në anën tjetër edhe FC Shkupi është në kërkim të fitores së parë në transfertë, ku deri më tani ka regjistruar 3 disfata dhe vetëm një barazim, edhe atë që në xhiron e parë ndaj Sileksit (1:1).

Leave a Reply