Shkrinjar gati rinovimin me Interin

Javë mjaft të rëndësishme në shtëpinë zikaltër, edhe sa i përket rinovimit të kontratës me mbrojtësin sllovak, Milan Skriniar. Ky i fundit ka vendosur të mbyll bashkëpunimin me menaxherin historik, Karol Csonto, ndërsa ditët e fundit ishte folur për një sërë menaxherësh të tjerë, që ishin ofruar për ta përfaqësuar.

Megjithatë burime pranë klubit zikaltër raportojnë se Skriniar ka vendosur që të mos përfaqësohet nga askush dhe ta diskutojë vetë marrëdhënien e tij të punës me Interin.

Kjo gjë është mirëpritur dhe vlerësuar nga klubi zikaltër, që duket se ka vendosur t’i ofrojë rreth 4 milionë euro në sezon, për të nënshkruar një kontratë që do t’i lidhte palët deri në verën e vitit 2023.

Për më tepër, Skriniar shikohet si një futbollist lider në prapavijë dhe drejtuesit e Interit nuk e përjashtojnë mundësinë që t’i besojnë pikërisht atij shiritin e kapitenit, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.

Megjithatë, në drejtim të sllovakut ka oferta të rëndësishme nga klube si Manchester City, Barcelona e Real Madrid, ndaj detyra e parë e drejtuesve zikaltër do të jetë të mund ta mbajnë në Milano.

Leave a Reply