Kosova vetëm një pikë ndaj Malit të Zi

Në një stadium të boshatisur në Podgoricë, për shkak të pezullimit nga UEFA, Kosova nuk arriti të shkojë më shumë se një barazim 1-1 përballë Malit të Zi, në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Euro 2020-ës.

Vetëm dy orë para ndeshjes, malazezët u tronditën kur mësuan se trajneri, zëvendës trajneri dhe dy futbollistë (të katër me origjinë serbe), kishin vendosur të bojkotonin këtë takim, për shkak të presionit nga qarqet e tifozëve ultrasë serbë, por kjo ngjarje nuk u shfrytëzua maksimalisht nga futbollistët e Bernard Challandes.

“Dardanët” e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke marrë kontrollin e fushës dhe iniciativën, teksa që në fillim kërcënuan me anë të sulmuesit kryesor Vedat Muriqi.
Goli ishte rrotull për Kosovën, e cila zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t, kur pas një topi të ardhur nga krahu, ishte Milot Rashica, që me një mbrojtës dhe portierin përballë, arriti të gjuajë saktë dhe të dërgojë topin në rrjetë.

Shtatë minuta nga fundi i pjesës së parë, sulmuesi anësor Arbër Zeneli u dëmtua dhe la fushën e lojës, për t’u zëvendësuar nga i riu i talentuar Edon Zhegrova, i cili shtoi impulset në krahun e djathtë të sulmit.

Edhe pjesa e dytë nisi me Kosovën kërkuese, ndërsa të besuarit e Challandes krijuan disa mundësi për të dyfishuar avantazhin, por herë për meritë të fatit dhe herë të portierit kundërshtar Mijatoviç, nuk ia dolën të shënojnë.

Atë që nuk e bënë “Dardanët”, arritën ta realizojnë vendasit, që në minutën e 69’ shënuan golin e barazimit në një nga të paktat raste të krijuara, me anë të sulmuesit kryesor Stefan Mugosha, i cili mposhti portierin Aro Muriç.

Minutat e mbetura u zhvilluan kryesisht në gjysmëfushën malazeze, me Kosovën që u shfaq dukshëm kërkuese dhe me dëshirë për të marrë 3 pikët në Podgoricë, por si Rashica, ashtu edhe Muriqi e Zhegrova, nuk arritën të shfrytëzojnë rastet.

Me këtë barazim, Kosova shkon në kuotën e dy pikëve, në po kaq ndeshje, teksa në takimin e parë barazoi 1-1 me Bullgarinë në Prishtinë, ndërsa 3 ditë më vonë “Dardanët” do të përballen pikërisht me bullgarët, por këtë herë në Sofie.

Leave a Reply