Armando Sadiku gati ti bashkohet skuadrës së njohur turke!

Armando Sadiku karrierën e tij me shumë gjasa do ta vazhdojë në Superligën Turke, duke u bërë pjesë e një ndër skuadrave të njohura të këtij vendi, Trabzonspor. Madje në Turqi janë të binsur se sulmuesi shkodran shumë shpejtë do të konfirmohet si pjesë e skuadrës në fjalë, dhe se nuk është thjesht thashethem i merkatos.

Mbetet peng vetëm një miratim përfundimtar i trajnerit Unal Karaman, që Sadiku të veshë fanellën e Trabzonspor, që në sezonin e ri pritet të futet me ambicie edhe më të larta.

Sadiku së fundmi luante me Luganon në Zvicër, megjithatë kartonin e tij e posedon skuadra spanjolle e Levantes, me të cilën Sadiku ka kontratë deri me 30 qershor të vitit 2020.
Sipas mediave turke, Levante ka kërkuar 750 mijë euro për kartonin e futbollistit të përfaqësueses shqiptare, ndërsa pala turke pretendon që kjo shifër të ulet në 500 mijë euro për të finalizuar marrëveshjen.

Ndërkohë, është arritur akordi financiar sa i përket vetë futbollistit shqiptar. Lojtari ka dhënë miratimin e tij për të firmosur me një rrogë prej 750 mijë eurosh në vit në klubin turk dhe sipas të gjitha gjasave, pritet që në ditët në vijim palët të nënshkruajnë akordin për finalizimin e transferimit.

Leave a Reply