“La Liga” zbulon kalendarin e sezonit 2019-2020, ja kur zhvillohen ndeshjet “El Clasico”

Ditën e sotme është zyrtarizuar edhe kalendari i La Liga-s për sezonin 2019-2020, i  cili do të startojë me 18 gusht, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra kampione e Barcelonës mbrojtjen e titullit do ta nis nga një transfertë shumë e vështirë, ajo ndaj Atletiko Bilbaos në “San Mamesh”, ndërkohë Reali i Madridit ndeshjen e parë do të luajë në transfertën delikate ndaj Selta Vigos.

Levante e Enis Bardhit do të luaj si mysafir me Alavesin, teksa Atletiko Madridi kampanjën e re në elitën e futbollit spanjoll do ta nisë në shtëpi përballë Getafes.

Majorka që u rikthye pas shumë viteve në mesin e më të mirëve në futbollin spanjoll, në xhiron e parë do të takohet me Eibarin, Sevilja do të ketë një transfertë të vështirë në Barcelonë ndaj Espanjollit, ndërkohë fituesja e Kupës, Valencia do ta nis fushatën me ndeshjen ndaj Real Sociedadit në “Mestalja”.

“El Clasico” e parë e sezonit 2019/2020 në program është  me datë 27 tetor në “Kamp Nou”, ndërkohë ndeshja e dytë mes dy skuadrave gjigande spanjolle në “Santiago Bernabeu” do të zhvillohet me 1 mars të vitit 2020.

Leave a Reply