Sot starton Superliga e Kosovës

Sot edhe zyrtarisht hap siparin sezoni i ri 2019/2020 në elitën e futbollit kosovar.

Java e parë sjellë dy derbi lokal, atë të Prishtinës dhe Drenicës, ndërsa gjatë ditës së sotme ndeshjet e tyre do ti zhvillojnë tre skuadrat kryesore, që vitin  e kaluar deri në fund të kampionatit luftuan për titullin e kampionit.

Skuadra kampione e Feronikelit e nis ndaj “kushërinjëve” të Drenicës.

Takimi që është fituar lehtësisht nga Nikli tri herë edicionin e kaluar, fillon prej orës 17:00 dhe gjykohet nga Mervan Bejtullahu. Në të njëjtën kohë fillon edhe derbi i kryeqytetit mes Flamurtarit dhe Prishtinës.

“Kuqezinjtë” e strategut strugan, Artim Shaqiri, do të luftojnë për të treguar që jo rastësisht ndalën Prishtinën në dy prej tri takimeve të sezonit të kaluar. Duhet theksuar që Flamurtari ndeshjet si vendës do t’i luajë në “Xhemajl Ibishi” e jo më në “Fadil Vokrri”.

Ndeshje tjetër shumë interesante luhet në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi i Tahir Batatinës pret Vushtrrinë. Të gjitha këto tri ndeshje fillojnë nga ora 17:00.

Leave a Reply