Zbulohet para kohe formacioni ideal i FIFPro për “The Best”

Ceremonia e mbrëmjes së sotme e “The Best”, e organizuara nga FIFA, pritej të zbulonte edhe formacionin ideal të votuar nga vetë futbollistët profesionistë të cilët kanë aderuar në FIFPro. Por siç ndodh zakonisht në këto raste, formacioni është zbuluar që më parë dhe bie në sy se ka shumë zgjedhje të çuditshme.

Për shembull, edhe pse gjatë vitit 2019 Real Madrid ka qenë në një gjendje të mjerueshme duke mos fituar asgjë e duke luajtur në mënyrë zhgënjyese, futbollistët që kanë votuar kanë zgjedhur katër lojtarë mes madrilenëve, duke filluar nga Marcelo, për të vazhduar me Ramos, Modriç e së fundmi Hazard, edhe pse ky i fundit ka pak kohë si pjesë e “los blancos”. Sipas “Marca”, Alison dhe Van Dajk janë emrat e vetëm që përfaqësojnë Liverpulin fitues të Ligës së Kampioneve, edhe pse shumëkush priste që kjo skuadër të kishte më shumë protagonistë në formacionin ideal.

Të tjerët janë De Ligt që shkëlqeu me Ajaksin para se t’i bashkohej Juventusit, De Jong që bëri të njëjtën gjë me holandezët para se t’;i bashkohej Barcelonës, Ronaldo, Mesi dhe Mbape. Jashtë mbetet Nejmar, një nga emrat më të diskutuar të kësaj vere, apo edhe Salah. Ndërkohë, zbulohet se trajneri i vitit është përzgjedhur gjermani Jurgen Klop, i cili drejtoi Liverpulin në finalen e Ligës së Kampioneve. (vipsport.al)

Leave a Reply