Poçetino merr drejtimin e Bajern Munih!?

Skuadra kampione e Bajernit të Munihut që po vuan një krizë rezultatesh, nuk do të presë as përfundimin e fazës së parë për të shkarkuar kroatin, Niko Kovaç, e për të bërë ndryshimet e nevojshme në stol, që të rikthejë sezonin në rrugën e duhur.

Aktualisht në “Pole Position” për postin prestigjioz është trajneri i Totenhamit, Mauricio Poçetino. Strategu argjentinas që tashmë disa vitesh po drejton skuadrën londineze, madje duke mos pranuar asnjë nga ofertat joshëse që i vinin nga klubet e njohura europiane, duket se këtë radhë po intrigohet nga Bundesliga.

Agjencia gjermane “Sport 1” ka raportuar se 47 vjeçari udhëzoi prokuratorin e tij për të negociuar kushtet, në rast se do të pranojë të ulet në gjysmën e këtij sezoni, në stolin “bavarez”.

Totenhami ka vuajtur një nisje zhgënjyese të kampionatit anglez me vetëm 12 pikë në 10 ndeshje, jashtë zonës së kualifikimit në Ligën e Kampionëve dhe me një mori kritikash për lojën e dobët.

Në kampin tjetër situata është disi më mirë, por Bajern do të shkarkojë Kovaç në rast se merr garancinë për ardhjen e Poçetinos.

Një tjetër emër i pëlqyer në skuadrën gjermane është trajneri aktual i Ajaksit, Erik Ten Hag.

Leave a Reply