Lajm i mirë për Futsal Shkupin, rikthehet Dragan Petroviç

Futsal Shkupi gjatë ditës së sotme do të zhvillojë ndeshjen e javës së 13-të në elitën e futsalit vendor kundër Crna Rekës si mysafir, ndërsa lajmi i mirë për trajnerin Zoran Lekiq, është rikthimi në skuadër i një ndër lojtarëve më të mirë në futsalin vendor, Dragan Petroviç – Brus, njofton “infOSport.mk”.

I njëjti për shkak të një ndërhyrje kirurgjikale mungoi për plotë 4 muaj nga palestra, ndërsa takimi i sotëm ndaj skuadrës nga Kavadari do të jetë i pari për të me fanellën e Futsal Shkupit në kuadër të Ligës së Parë të Futsalit.

Ai përforcoi rradhët e ekipit “bardhekaltër” nga Çairi gjatë sezonit të kaluar, mirëpo vetëm për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ku tregoi një performancë të shkëlqyer. Kujtojmë pikërisht goli i tij u tregua vendimtarë në atë fitore 3:2 ndaj skuadrës së Daugavpils në raundin parakualifikues, kur edhe përfundimisht skuadra e Futsal Shkupit siguroi vizën për në ndeshjet e raundit kryesor të Ligës së Kampionëve në Makarska të Kroacisë.

Edhe pse i njëjti udhëtoi me skuadrën për në Makarska, dëmtimi bëri që ai të mos e zhvillojë asnjë ndeshje, ndërsa rikthimi i tij në skuadër vjen në momentin e duhur, pasi pikërisht tashmë Futsal Shkupin e presin ndeshje të rëndësishme kampionale.

Kujtojmë Futsal Shkupi javën që vjen do të zhvillojë derbin e madh kundër rivalit kryesor për titull, KMF Proekt Ciko, ndaj së cilës skuadër ka një epërsi prej 3 pikësh.

Pas 12 xhirove të kaluara Futsal Shkupi kryeson renditjen me 34 pikë, derisa KMF Proekt Ciko me 31 pikë mban pozitën e dytë.

Leave a Reply