E pranojnë edhe nga Verderi, vështirë ta mbajmë Rashicën edhe pas kësaj vere!

Shefi ekzekutiv i Verder Bremenit, Frank Baumann e di se do të jetë e vështirë që klubi ta mbajë Milot Rashicën përtej afatit kalimtar të verës.

Ai pohon se Verder Bremeni nuk ka qenë në bisedime konkrete me asnjë klub, por që e di se do të ketë ndryshime.

“Asnjë vendim nuk është bërë ende, dhe ne nuk kemi biseduar me asnjë klub. Por, është e qartë se futbollistët që kanë dëshmuar veten në fushë, do të bëjnë hapin tjetër në karrierë. Duhet të jemi realistë për këtë”, – ka thënë Baumann për ‘Deichstube’.

Gjatë pjesës së parë të këtij edicioni, Verderi ishte në bisedime për të vazhduar kontratën me yllin kosovar përtej vitit 2022, por derisa vazhdojnë vuajtjet e Verder Bremenit në Bundesligë, bisedimet kanë ngecur.

“Nuk jemi ulur për bisedime në këtë fazë. Nuk është duke na ndihmuar aspak situata aktuale sportive. Nëse do të ishim në një pozitë tjetër në tabelë, gjërat do të ishin më ndryshe”, – vlerësoi ai.

Rashica këtë edicion në përgjithësi ka bërë 22 paraqitje (19 në kampionat dhe 3 në kuadër të Kupës së Gjermanisë), duke shënuar 10 gola (7 në kampionat dhe 3 në kuadër të kupës), si dhe ka dhuruar 4 asistime.

Leave a Reply