Jeton Beqiri në largim thur elozhe për FC Struga T&L

Disfata e të dielës nga FC Shkupi ishte ndeshja e fundit e Jeton Beqirit në pankinën e FC Struga Trim&Lum, pasi që tekniku tetovar vendosi të merr përgjegjësinë duke u dorëhequr nga pozita e trajnerit menjëherë pas ndeshjes. Edhe pse ishte pjesë e sukseseve historike të skuadrës strugane, si hyrja debutuese në Ligën e Parë dhe kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës ku struganët akoma janë në lojë për trofe, për Beqirin nuk ka mjaftuar kjo pasi ai vendos të merr përgjegjësinë për mungesën e rezultateve në start të gjysmësezonit pranveror në kampionat dhe tërhiqet nga pankina në kohë për t’i dhënë shansin ekipit të rimer veten me një trajner tjetër në pankinë. Vendim ku jo edhe aq i zakonshëm kohëve të fundit në trevat tona, ku trajnerët duke vendosur në plan të parë interesin material, gjithnjë e më rrallë vendosin të tregojnë karakter e vlera morale për t’u dorëzuar në kushte kur ecuria nuk është në paralele me pritjet. Gjithsesi, Jeton Beqiri shfaqet me principe tjera dhe për këtë edhe ndarja e tij me FC Struga Trim&Lum ndodh në një rrugë shumë korrekte e me respekt të ndërsjelltë mes teknikut dhe drejtuesve të klubit. Me këtë rast tani më ish-trajneri i FC Struga Trim&Lum ka dalë më një letër publike përmes së cilës përshëndetet me gjithë ata me të cilët bashkëpunoi periudhën e kaluar.

“Çdo fillim ka një fund, kështu edhe bashkëpunimi im me FC Struga Trim&Lum. Me këtë rast, tani në largim dua të falemenderoj të gjithë ata me të cilët kemi punuar bashkë gjatë kësaj periudhe. Falënderim dhe mirënjohje e pafund për pronarët e mrekullueshëm të klubit, familjen Qyra që me shumë përkushtim e dashuri ndajnë nga pasuria e tyre për të ngritur futbollin në përgjithësi dhe atë strugan në veçanti. Dua të përcjell falemenderim për gjithë të punësuarit në klub, bashkëpunëtorët, futbollistët dhe publikun strugan për mbështetjen e vazhdueshme. Ishte një vit shumë pozitiv i cili gjithmonë do të gjejë vend në zemrën time. Jeta profesionale bart në vete suksese dhe dështime, por mbi të gjitha primeare mbetet të ruajmë dinjitetin dhe respektin ndaj punës, bashkëpunëtorëve, tifozëve dhe kundërshtarëve”, thotë Beqiri, duke vijuar:  “Me Strugën bashkë arritëm rezultate historike, inkuadrimin në Ligën e Parë, kishim një gjysmësezon shumë pozitiv në elitën e futbollit vendor dhe ndërkohë ditë më parë shkruajtëm një tjetër rezultat historik, duke hyrë për herë të parë në gjysmëfinale të Kupës së vendit. Janë këto rezultate të cilat gjithë ne së bashku i kemi arritur me shumë punë e përkushtim. Fatkeqësisht në kampionat fillimi i gjysmësezonit pranveror nuk shkoi ashtu si deshëm. Ndonjëherë gjërat nuk mund t’i mbash në kontroll, sado që të japësh më të mirën dhe në kushte kur rezultatet nuk janë sipas pritjeve, vlerësoj se trajneri është i pari që duhet të merr përgjegjësinë. Kam vendosur të largohem me respekt dhe bindje se klubi me tjetër trajner në pankinë do të kthehet në rrugën e suksesit dhe në fund do të realizojë objektivat e pronarëve. Uroj dhe dëshiroj shumë suksese për KF Struga Trim&Lum në të ardhmen. Me respekt, Jeton Beqiri”, përfundon letra e tashmë ish-teknikut të skuadrës strugane.

Leave a Reply