Junajtedi përgatit rikthimin e legjendës Erik Kantona në “Old Traford”

Erik Kantona mund të jetë legjenda e radhës e Mançester Junajtedit që rikthehet për të ndihmuar klubin në këto momente të vështira që po kalon.

Drejtuesit më të lartë të “Djajve të Kuq” po diskutojnë rreth kthimit të mundshëm të francezit në klub në një rol ambasadori.

Ai do të bashkohej me Brajan Robson dhe Denis Irvajn, dy ish-futbollistë të tjerë të Junajtedit, që janë të angazhuar në të njëjtin sektor.

Kantona është një figurë shumë e pëlqyer në mesin e tifozëve të Junajtedit dhe prania e tij do të mirëpritej nga masa e gjerë e fansave të këtij klubi.

Francezi shënoi 82 gola gjatë qëndrimit të tij 5-vjeçar në “Olld Traford”, duke fituar katër tituj kampion në Premierligë, dy trofe të FA Kupës si dhe tre të tjerë në kuadër të “Community Shield”.

Kanonta iu bashkua festës së Mançester Junajtedit sezonin e kaluar, kur përmbysi PSZH-në në Paris. Ai u fotografua bashkë me Ole Gunar Solskjaerin dhe Sir Aleks Fergusonin. Reputacioni i 53-vjeçarit shtrihet përtej futbollit, në botën e filmit dhe televizionit, ndaj figura e tij do të ndihmonte në ringitjen e imazhit të Mançester Junajtedit në gjithë Botën.

Kantona, përtej cilësive të jashtëzakonshme si futbollist, mbahet mend edhe për karakterin e tij brutal, sidomos për incidentin me një tifoz të Kristall Palas, në vitin 1999, të cilin e goditi me shkelm me stilin kung fu.

Ai u pezullua fillimisht tetë muaj, u gjobit dhe u akuzua për sulm, por në fund u dënua  me 120 orë shërbim në komunitet.

Sidoqoftë, sulmuesi, pas këtij incidenti, fitoi edhe dy tituj në Premierligë me Mançester Junajtedin.

Leave a Reply