Llullaku e mbyll në Bjellorusi, si opcion sheh edhe Shqipërinë!

Aventura e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku te skuadra bjelloruse e Shaktjor Soligorsk ka zgjatur vetëm një vit, pasi sot sulmuesi shqiptar ka njoftuar se e ka mbyllur bashkëpunimin me këtë skuadër dhe se tani është një lojtar i lirë. Në një prononcim për “infOSport.mk”, Llullaku tha se është ende herët për të menduar skuadrën e tij të rradhës, duke mos përjashtuar këtu edhe kampionatin e Shqipërisë.

“Sinqerisht ende asgjë nuk mund të them për të ardhmen time, tani sa mbarova, kemi kohë për opcionin më të mire për mua dhe për familjen time, nuk e përjashtojë këtu edhe Shqipërinë si opcion, edhe pse deri në këto momente nuk ka asgjë konkrete” – u shpreh Azdren Llullaku në prononcimin e tij për “infOSport.mk”, duke vijuar: “Deri sa nuk isha 100% i sigurtë se do mbarojë këtu, nuk kam hyrë në bisedime konkrete me asnjë skuadër, vetëm sot mbarova përfundimisht këtu, tani do filloj më mirë për të rishikuar ofertat”.

Llullaku me ekipin e Shakhtjor Soligorsk regjistroi 16 ndeshje dhe 1 gol të shënuar, ndërsa kujtojmë se momente të bukura i njëjti kishte kaluar në kampionatin e Rumanisë me skuadrën e Gaz Metan, për të cilën skuadër në 113 ndeshje kishte realizuar 34 gola.

Ndryshe e gjithë karriera e tij është zhvilluar nëpër vendet europiane, duke filluar nga Italia, Rumania, Kazakistani dhe së fundmi Bjellorusia. Një transferim i tij i mundshëm në kampionatin elitarë të Shqipërisë do të ishte një risi për të, por njëkohësisht edhe një anë pozitive, duke pasur parasysh kualitetet e tij sulmuese. Një ndër skuadrat që thuhet se ka shfaqur interesim për shërbimet e Llullakut, gjithnjë sipas mediave shqiptare atje, është skuadra e Kukësit.

Leave a Reply