Izair Emini vërshohet nga ofertat

Izair Emini aktualisht është një futbollistë i lirë, mirëpo si duket jo edhe shumë kohë. Në adresë të mesfushorit tetovarë kanë arritur shumë oferta, përfshirë këtu skuadra nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, njofton “infOSport.mk”.

Emini ditë më parë me pëlqim të dyanshëm u nda me Dritën e Gjilanit, me të cilën skuadër edicionin e kaluar ishte shpallur kampion në Superligën e Kosovës.

“Po kam pas kontakte, madje më kanë kontaktuar drejtëpërdrejtë ekipe si nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Jam në pritje të ofertave konkrete, ashtu që ditëve në vazhdim do shoh se cila prej tyre do të jetë më konkrete dhe atëherë do të bëjë, besoj zgjidhjen e duhur” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Izair Emini, ndryshe i njohur si futbollisti kampion, pasi në çdo skuadër që ka luajtur, ka arritur të fitoj tituj.

Për Eminin titulli kampion për sezonin 2019/2020, ishte i katërti me rradhë, pas atyre me Shkëndijën ( dy tituj) në Maqedoni dhe Kukësin në Shqipëri.

Ndryshe për Eminin titulli kampion me Dritën, ishte i 5-të gjithsej në karrierën e tij, duke pasur parasysh se ishte pjesë e asaj gjenerate të Shkëndijës që në vitin 2011-të ishte shpallur për herë të parë kampion.

Ai gjithashtu pas vetes numëron edhe 2 Kupa dhe 2 Superkupa, transmeton “infOSport.mk”.

Një Kupë dhe një SuperKupë, Emini ka fituar me Shkëndijën në futbollin tonë vendor, derisa të njëjtën gjë kishte bërë edhe me Kukësin në Shqipëri.

Pra gjithsej 9 tituj për Izair Eminin, i cili me plotë të drejtë mund të quhet njeriu i trofeve, ashtu që skuadra që do e angazhojë të njëjtin “me plotë të drejtë mund të konsiderojë veten kampion”.

Leave a Reply