Super Vardar Forina humbi ndeshjen vetëm përmes penaltive ndaj kampionëve të Vardarit (VIDEO)

Vardari i Forinës  doli të jetë i pafat në takimin e sotëm të 1/16 së finales kundër skuadrës kampione të Vardarit, e cila falë ruletit të penaltive, në fund i’a doli të kalojë në 1/8 e finales së Kupës, njofton “infOSport.mk”.

Ndryshe ndeshja në kohën e rregullt midis dy skuadrave me emrin e njëjtë u mbyll me shifrat 2:2. Vardari pjesën e parë e mbylli me epërsi minimale falë golilt të shënuar nga Dejan Bllazhevski nga pika e bardhë. Sulmuesi veteran i skuadrës shkupjane pasi e kishte përfituar këtë 11-të metërsh arriti që të mposhtë portierin e Vardar Forinës, Amir Jashar, i cili kapituloi edhe në minutën e 59-të, kur Petkovski nga brendia e zonës shënoi për 2:0.

Dhe kur të gjithë menduan se Vardari i Aleksandar Vasoskit pa shumë probleme do të kualifikohet për në 1/8 e finales, në skenë te Vardari i Forinës doli Emir Aliu, i cili brenda dy minutave arriti që dy herë të mposhtë portierin Igeski.

Fillimisht në minutën e 71-të shkupjani shënoi nga pika e bardhë, ndërsa në të 73-tën me kokë edhe për herë të dytë shënoi në rrjetën e mysafirëve nga Shkupi, duke barazuar shifrat në 2:2 dhe duke çuar ndeshjen drejt ruletit të penaltive.

Aty u zhvillua një dramë e vërtetë, pasi u nevojitën plotë 18 penalti për të mësuar fituesin, e që në fund dolit të jetë skuadra e Ligës së Parë, me rezultatin 8:9.

I pari që humbi goditjen nga pika e bardhë, ishte Partalko i Vardarit në serinë e dytë, mirëpo në goditjen e rradhës gaboi edhe Agon Loki, goditjen e të cilit e mbrojti portieri Igeski, transmeton “infOSport.mk”.

Rastin e  artë për të kaluar Vardar Forinën në 1/8 e finales e pati Luma në serinë e 5-të, mirëpo i njëjti nuk arriti që të shfrytëzojë huçjen e Velkovskit në serinë e katërt. Kështu skuadrat arritën deri në serinë e 9-të, aty ku Ron Sinani i Vardar Forinës qëlloi shtyllën, duke i mundësuar festën skuadrës së Aleksandar Vasoskit, që duhet pranuar se me shumë fat arriti që të kualifikohet për në ndeshjet e 1/8 së finales, ku pjesa më e madhe e ndeshjeve do të zhvillohen gjatë ditës së nesërme.

Leave a Reply