Zeqiri kalon me sukses vizitat mjekësore dhe transferohet në Premierligë

Sulmuesi me origjinë nga Kosova, Andi Zeqiri është vetëm një hap larg firmës me klubin e Premierligës, Brajton. Futbollisti 21-vjeçar ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe firma mbi kontratë e zyrtarizimi është vetëm çështje orësh.

Me prindër nga Ferizaj, Andi Zeqiri ka lindur në Lozanë të Zvicrës, ku edhe është rritur si futbollist e ka debutuar në skuadrën e parë thuajse 5 vite më parë.

Sezonin e fundit 21-vjeçari ishte protagonist te skuadra e Lozanës, pasi shënoi 22 gola në 37 ndeshje dhe ndihmoi ekipin në rikthehet në Superligën e Zvicrës.

Prej kohësh ishte folur për interesimin e skuadrave të ndryshme për sulmuesin e talentuar, por duket se Brajtoni lëvizi më shpejt dhe arriti të bëjë të vetin qendërsulmuesin.

Andi Zeqiri ka luajtur me të gjithë ekipet e moshave të Përfaqësueses zvicerane, që nga U15 dhe deri te U21, teksa me këtë të fundit ka shënuar 9 gola në po kaq ndeshje të zhvilluara.

Gjithsesi në verë sulmuesi vendosi të përfaqësojë Kosovën dhe drejtuesit e FFK-së po i përgatisin dokumentacionin për ta pasur në dispozicion për ndeshjet e muajit tetor, ku “Dardanët” do të provojnë të sigurojnë një vend në Kampionatin Europian.

Leave a Reply