Angellovski të enjten shpall listën e futbollistëve për ndeshjen historike me Kosovën

Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski të enjten do të bëjë publike listën e futbollistëve, që do të bartin barën kryesore për ndeshjet e tetorit, përfshirë këtu edhe ndeshjen historike kundër Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për edicionin 2019/2020.

Siç mëson “infOSport.mk”, në mesin e futbollistëve të ftuar pritet të jetë edhe Ferhan Hasani, i cili mungoi në ndeshjet e shtatorit për shkak pandemisë “Covid 19”. Mbetet të shihet situata kaotike e krijuar te skuadra e Xhenoas, pjesë e së cilës është edhe Goran Pandev. Plotë 14 anëtarë të kësaj skuadre kishin rezultuar pozitiv me “Covid 19”, ndërsa kjo ka shtuar rrezikun që të ketë të infektuar eventual edhe te skuadra e Elif Elmas, Napoli, me të cilën skuadër Xhenoa u përballë gjatë fundjavës.

Në rast se edhe Pandev është në mesin e të infektuarve, mungesa e tij do të ishte shumë e madhe për Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh se kapiteni i “verdhekuqve” konsiderohet si një lider i padiskutueshëm në skuadrën e Angellovskit.

Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë në program është me datë 8 tetor, ndërsa të njëjtit futbollistë që do të marrin ftesa për këtë super përballje, do të luajnë edhe në dy ndeshjet tjera të Ligës “C” së Kombeve për edicionin 2020/2021, kundër Estonisë me 11 tetor në transfertë dhe kundër Gjeorgjisë 3 ditë më pas në arenën “Todor Proeski”.

Leave a Reply