Iniesta dhe rrëfimi i tij special në prag të “El Clasicos”, Ronaldinjo më telefonoi në 3 të natës për të më thënë se do shkojë te Reali!

Sot me fillim në ora 16:00 në program është një ndër ndeshjet më të mëdha në futbollin europian, ajo midis Barcelonës dhe Realit të Madridit, ndërsa ish futbollisti i “katalunasve”, Andsres Iniesta kujton një ngjarje mjaft interesante, që lidhet me ish yllin brazilian të futbollit, Ronaldinjo Gauço.

Bëhet fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur  nëntorin e vitit 2005s, disa ditë para “El Clasicos” së 19 nëntorit, kur Ronaldinjo vendos të telefonojë Iniestën më 3 të natës për t’i dhënë një lajm të rëndësishëm.

“Disa ditë para ‘El Clasicos’, Dinjo më telefonoi dhe më tha: Andres e di që është ora tre e natës, por dua të të them diçka. Në qershor do të largohem. Vëllai im po arrin një marrëveshje me Realin e Madridit dhe bëhet fjalë për shifra të jashtëzakonshme, që nuk mund t’i refuzoj. Ti je i ri dhe mund të më kuptosh. Por dua që mos ti tregosh askujt as në dhomat e zhveshjes, apo edhe te drejtuesit e klubit. Mos më tradhto. Kam besim te ty. Natën e mirë Andres”, – më tha Dinjo në telefon.

“Të nesërmen në stërvitje pashë një heshtje të jashtëzakonshme dhe të gjithë e përkëdhelnin Ronaldinjon si kurrë më parë. Ishte krijuar një atmosferë surreale”, – vijon rrëfimin e tij Iniesta.

Megjithatë siç zbulon mesfushori spanjoll, gjithçka ishte një skenar i vetë Ronaldinjos, që zbuloi të vërtetën para shokëve ditën e “El Clasicos”, duke i motivuar ata edhe më tepër drejt një fitoreje bindëse me rezultatin 0:3.

“Ditën e El Clasicos Dinjo erdhi në dhomat e zhveshjes dhe tha: Shokë sot luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Këta janë shumë të fortë, por gjatë këtyre ditëve kam zbuluar se ne jemi një familje e vërtetë. U kam telefonuar të gjithëve në mes të natës për t’u thënë se do të largohem në qershor, por askush prej jush nuk foli. Pas kësaj kam kuptuar se të gjithë jemi gati të vdesim, por të mos tradhtojmë. Unë do të qëndroj këtu edhe për shumë vite, ndaj le të zbresim në fushë dhe t’u tregojmë si luhet futbolli, këtyre të Madridit”, – kujton Iniesta.

Më pas Barcelona zhvilloi një ndeshje perfekte dhe arriti të triumfojë me rezultatin e thellë 0:3 në “Santiago Bernabeu”, ndërsa Ronaldinjo arriti të shënojë dy gola në atë ndeshje, ndërsa për më tepër morri edhe duartrokitjet e tifozëve “madrilen”, pas paraqitjes së tij fantastike në atë mbrëmje të 19 nëntorit.

Leave a Reply