Mensur Fazlija: “Futsal Shkupi meriton më shumë vëmendje”!

Futsal Shkupi të dielën në palestrën Boris Trajkovski e nisi me këmbë të mbarë aventurën e re europiane, duke kaluar pa shumë probleme raundin parakualifikues, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra “bardhekaltër” nga Çairi shënoi fitore 3:0 përballë kampionëve të Irlandës, Blu Mexhik FC Dublin. Ishte kjo fitorja e 7-të nga gjithej 10 ndeshje europiane për këtë skuadër të themeluar vetëm në vitin 2014-të, e që në bagazhin e saj tashmë ka 3 tituj kampion, dy herë ishte shpallur nënkampion, një herë fitues i Kupës dhe njëherë tjetër finalistë.

Vërtetë suksese të mahnitshme për këtë skuadër modeste, që po na bënë krenar edhe në arenën ndërkombëtare, aty ku shumë lehtë mund të ndodhë që në Shkup të shohim edhe një Barcelonë, apo edhe një Sporting të Lisbonës, skuadra këto që mund të jenë edhe kundërshtarë potencial të skuadrës nga Çairi për në fazën eliminuese të Ligës më prestigjioze europiane në futsal.

Mirëpo që Futsal Shkupi të ju bëjë ballë emrave të tillë, nevojiten mjete financiare, thotë koordinatori i klubit, Mensur Fazlija, i cili përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtarë në “facebook”, kërkon vëmendje më të madhe si nga institucionet shtetërore, po ashtu edhe ato private.

Shkrimi i Koordinatorit kryesor të Futsal Shkupi, Mensur Fazlija:

FUTSAL SHKUPI MERITOM MË SHUMË VËMENDJE 

Pas një nate të lodhshme dhe një pushimi të këndshëm gjatë ditës së sotme, tashmë në mendje kemi shortin e 9 dhjetorit dhe kundërshtarin e rradhës në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo para se të flasim për atë ndeshje që na pret, fillimisht dua ti urojë lojtarët tanë që dhanë më të mirën në terren, stafin e trajnerëve dhe gjithë anëtarët e familjes së madhe “bardheblu” në ndeshjen e mbrëmshme ndaj kampionëve irlandez të Blu Mexhik FC Dublin.  

Është kjo hera e tretë dhe viti i dytë me rradhë në të cilin neve arrijmë të kalojmë raundin parakualifikues, duke u kualifikuar në mesin e 32 skuadrave më të mira europiane, ndërsa besojmë se me një përkrahje më të madhe financiare, qoftë nga institucionet shtetërore (Agjencia për Rini dhe Sport, Qyteti i Shkupit, Komuna e Çairt) apo private,  neve jemi të gatshëm për të bërë edhe një hap më shumë.

Synimi ynë është të jemi në mesin e 16, apo edhe 8 skuadrave më të mira europiane, ndërsa një gjë të tillë mund të arrijmë vetëm kur pas nesh do të kemi një sponzor të fuqishëm dhe shumë sponzorë të tjerë.

E themi këtë, pasi raundi tjetër mund të na sjellë përballje me një Barcelonë të fuqishme, me një super Sporting të Lisbonës, apo edhe një Inter dhe Kairat Almaty, gjithë këto skuadra me peshë në futsalin europian.

Të nderuar sponzor, juve që ju kemi, e ju që ende nuk dini se ku të reklamoheni, ejani bashkohuni me kampionët e vërtetë, me Futsal Shkupin, pasi në atë mënyrë mund ti arrijmë bashkë qëllimet dhe synimet tona.

Kampionët me kampionët është reçeta që jep rezultatin e duhur, andaj mos u amendeni, bashkohuni me familjen e madhe “bardheblu”. 

Leave a Reply