Suedia me dy mungesa të mëdha ndaj Kosovës në Prishtinë

Kombëtarja e Suedisë me Zlatan Ibrahimoviçin e rikthyer në skuadër, kampanjën e re eliminatore për Kampionatin Botëror, “Qatar 2022” e ka nisur me këmbë të mbarë, teksa si vendas mundi Gjeorgjinë me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Ndërkohë të dielën suedezët zbarkojnë në Prishtinë për ta luajtur takimin e dytë në kuadër të grupit “B”, këtë herë kundër Kosovës.

Mirëpo në prag të këtij takimi shumë të vlefshëm për të dyja kombëtaret, trajneri i Suedisë, Jane Andersson po has në probleme, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit të parë Martin Olsen dhe mesfushorit, Albin Ekdal.

“Martin Olsen është portieri ynë i parë dhe nëse nuk do të mund t’ia dalë të luaj ndaj Kosovës, atëherë vendin e tij do ta zë Nordfeldt që mbrojti edhe ndaj Gjeorgjisë. Gjithsesi stafi mjekësor ende po e monitoron situatën e tij”, deklaroi Andersson pas fitores ndaj Gjeorgjisë, duke lënë të kuptohet se edhe Ekdal mund të mungojë, derisa edhe disa lojtarë të tjerë kanë pësuar lëndime.

“Disa futbollistë kanë marrë lëndime ndaj Gjeorgjisë, por që nuk janë të rënda dhe do të shohim gjendjen e tyre deri të dielën. Ekdal ka një lëndim, por që ende nuk e dimi se sa është serioz dhe do të presim”, ka deklaruar Andersson.

Takimi midis Kosovës dhe Suedisë do të zhvillohet të dielën (28 mars) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply