Alioski në balotazh kërkon të luaj kundër Zvicrës

Ezgjan Alioski edhe njëherë tjetër tregoi cilësitë e tij të larta, duke bërë një super paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti shqiptarë shënoi golin e parë sonte për Maqedoninë në fitoren 3:1 ndaj Islandës, duke trasuar rrugën e përfaqësueses së vendit tonë drejt ndeshjeve të balotazhit, përmes të cilave do të kërkojmë kualifikimin në Botërorin e Katarit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Ndërkohë se ndaj cilës prej kombëtareve do të dëshironte të luante, Alioski,  në një lidhje direkte në “SuperSport Albania” zbuloi edhe emrin e kundërshtarit që dëshiron në balotazh.

“Do doja të luaja kundër Zvicrës. Unë jetoj në Zvicër, ndërsa asnjëherë nuk më ka ra që të luaj ndaj tyre” – është shprehur shkurtimisht Alioski, i cili la për të kuptuar se nuk do të dëshironte njëkohësisht një përballje ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos.

Përveç këtyre dy kombëtareve, si kundërshtarë potencial të Maqedonisë në balotazh, janë edhe Suedia e Ibrahimoviç, Rusia, Polonia, ndërsa emrat e 5 kombëtareve tjera do ti mësojmë deri të martën, kur edhe zyrtarisht mbyllet cikli i eliminatoreve në të gjitha 10 grupet e Kontinentit të Vjetër.

Mbetet të shihet nëse Zvicra do të jetë kombëtarja që do zë vendin e dytë në grupin “C”, aty ku për momentin bashkë me Italinë ndajnë pozitën e parë me nga 15 pikë. Zvicra nesër në terren vendas do të mirëpret Bullgarinë, ndërkohë Italia do të jetë mysafire e Irlandës së Veriut. (infOSport.mk)

Leave a Reply