Reshat Ramadani flet në prag të ndeshjes me Kosovën

Një ndër futbollistët e ftuar nga ana e seleksionuesit të Maqedonisë U21, Dragan Kanatllarovski për dy ndeshjet miqësore kundër moshatarëve të Kosovës në Shkup, është edhe mbrojtësi i talentuar i Shkëndijës, Reshat Ramadani, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për një futbollistë  vetëm 18-vjeçar, i cili vitin 2021 do e mbajë mend për të mirë, pasi pikërisht brenda këtij viti, përveç ftesës që të luaj me U21, ai debutoi me Shkëndijën në ndeshjen kundër Skopjes në lagjen e Autokomandës.

“Jam tepër i lumtur për këto arritje, edhe pse premtoj se nuk do ndalem këtu. Mendoj se vetëm me punë njeriu mund të arrijë diçka në jetë, ashtu që mua pikërisht puna më ka sjellë deri këtu ku jam sot. Natyrisht se nuk do ndalem me kaq, na pret edhe shumë punë, jam në fillimet e karrierës profesioniste, ashtu që shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë” – u shpreh fillimisht Reshat Ramadani, i cili do e mbajë mend gjatë kohë edhe debutimin e tij me 19 shtator me fanellën e ekipit të parë të Shkëndijës, aty ku edhe i ka kaluar të gjitha gjeneratat.

“Ka qenë ëndërr për të debutuar me fanellën e zemrës, edhe pse realisht nuk e kam pritur që do të ndodh këtë vit. Falënderojë gjithë ata që më besuan, duke filluar nga trajneri dhe drejtuesit, të cilëve ju premtojë se do jap më të mirën nga vetja çdoherë që do më jepet rasti për ti mbrojtur ngjyrat ‘kuqezi’” – deklaroi Ramadani.

18-vjeçari me ekipin e Shkëndijës këtë edicion kishte luajtur në 4 ndeshje kampionale, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në ndeshjen e raundit të parë të Kupës kundër Kit Go, edhe atë bashkë me vëllain e tij më të madh, Florent Ramadani.

“Po, e vërtetë është se kemi luajtur bashkë, madje si dy mesfushorë difenziv. Unë në krahë të djathtë e ai në të majtë. Fati ynë neve në atë ndeshje fituam, ashtu që gëzimi në fund ishte i papërshkruar për mua” – shtoi Ramadani, i cili nesër ndaj përfaqësueses së Kosovës presim që të debutojë edhe me fanellën e përfaqësueses U21. Deri më tani, Ramadani kishte qenë pjesë e U19, me të cilën përfaqësuese kishte zhvilluar 5 ndeshje.

“Jemi përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve sa ishim bashkë. Vërtetë ka mbizotëruar një atmosferë shumë e mirë në mesin e gjithë futbollistëve, ashtu që shpresoj atë atmosferë ta shpalosim edhe në fushën e blertë ndaj ekipit përfaqësues të Kosovës. Shpresoj të bëjë debutimin në këtë ndeshje, edhe pse për një gjë të tillë vendos trajneri. Por nëse më jepet rasti besoj se do të bëjë më të mirën për të ndihmuar skuadrën për të arritur deri tek fitorja” – përfundoi Reshat Ramadani, një talent para të cilit është e ardhmja.

Ndeshja midis Maqedonisë U21 dhe Kosovës U21 do të zhvillohet në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së me fillim në ora 13:00, ndërsa po të njëjtin termin dy ditë më vonë këto dy përfaqësuese në të njëjtin vend do të zhvillojnë edhe ndeshjen e dytë kontrolluese. (infOSport.mk)

Leave a Reply