FC Shkupi barazon ndaj Akhmat Groznyt të Bernard Berishës (VIDEO)

FC Shkupi ka barazuar 2:2 në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Antalya të Turqisë, aty ku skuadra nga Çairi kishte zhvilluar fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtarë i skuadrës së Goce Sedlloskit ditën e sotme, ishte skuadra e njohur ruse e Akhmat Grozny, pjesë e së cilës është edhe ylli i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Berisha.

Ky i fundit ishte titullarë te ekipi rus, që avansoi me golin e Polyarus pas 29 minutave lojë, kur sulmuesi i tyre doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, e që me marrëveshje nga ana e të dyja skuadrave zgjati vetëm 40 minuta, njëjtë sikurse edhe pjesa e dytë, që foli në të mirë të skuadrës së FC Shkupit.

Pas 15 minutave lojë në këtë pjesë, Omar Imeri shfrytëzoi solo aksionin e Adentunxhit dhe nga afërsia barazoi shifrat në 1:1.

Nuk zgjati shumë dhe vetëm 3 minuta më pas, Alvarez ekzekutoi një riëvenie nga këndi, ndërsa më së miri para zonës kundërshtare u gjind Marko Gjorgievski, i cili me kokë në ato momente për herë të parë kaloi në epërsi skuadrën e FC Shkupit.

Megjithatë deri në fund të takimit, Akhmat Grozny arriti që të barazojë shifrat me anë të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, Senan Sebai, i cili me një të majtë rrotullimthi, arriti që të mposhtë edhe për herë të dytë portierin Naumovski.

Kujtojmë FC Shkupi në tokën turke zhvilloi plotë 5 ndeshje, duke regjistruar një fitore, dy barazime dhe dy disfata.

Ekipi “bardhekaltër” nga Çairi mundi ekipin e Sumgayit nga Azerbejxhani (2:1), barazoi 1:1 ndaj ukrainasve të Çernomorets Odesa dhe 2:2 ndaj rusëve të Akhmat Grozny, derisa u mund 4:1 nga polakët e Leh Poznan dhe 1:0 nga rusët e Fakel Voronezh. (infOSport.mk)

Leave a Reply