Fjalimi emocional dhe lamtumira mes lotësh e Marcelo nga Reali

Braziliani Marcelo nuk i përmbajti lotët gjatë lamtumirës emocionale me Realin e Madridit gjatë ditës së sotme. Mbrojtësi i krahut të majtë me “mbretërit” u bashkua në vitin 2007, ndërsa brenda 15 viteve të kaluara në ‘Santiagi Bernabeu’, ai me fanellën e Realit luajti në 545 ndeshje, duke regjistruar 38 gola dhe plotë 103 asistime.

Gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, Marcelo i’a doli të bëhet lojtari më i dekoruar në historinë e Realit të Madridit, me plot 25 trofe.

Në lamtumirën e tij sot ai pati një fjalim emocionues.

“Faleminderit shokëve të mi të skuadrës, trajnerëve. Por mbi të gjitha sigurimit, njerëzit që punojnë në prapaskenë dhe kanë punë të rëndomta. Dua të veçoj punën e tyre, sepse i përkushtohem vetëm lojës dhe çdo gjë e kam pasur gati. Dua të falënderoj gruan time, sepse ajo ka qenë gjithmonë pranë meje që kur kam filluar të luaj futboll. Nëse jam ky që jam sot, kjo është për shkak të teje Clarice. Kur u largova nga Brazili, kisha në mendje të luaja në Ligën e Kampionëve. Dhe sot largohem nga këtu duke qenë lojtari me më shumë tituj në historinë e klubit më të madh në botë” – u shpreh Marcelo, i cili nuk la pa falënderuar në veçanti legjendën e Realit, Raul.

“Unë do të tregoj diçka që nuk e kam thënë kurrë. Por dua të falënderoj Raulin, i cili është ulur atje. Më ndihmove shumë kur mbërrita dhe kur lindi djali im Enzo, nuk do ta harroj kurrë që më bëre një dhuratë, me shumë gjëra për fëmijën dhe më ke dhënë shumë këshilla. Ti ke qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm, ti dhe familja jote, dhe nuk do ta harroj kurrë këtë dhe gjithmonë kam dashur të ndjek shembullin tënd” – përfundoi Marcelo, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur vetëm edhe me Fluminensen në vendlindjen e tij, nga e cila skuadër 1 janarin e vitit 2007 kishte arritur te Reali, aty ku më pas gjithçka ishte histori në vete.

Leave a Reply