Alban Taipi transferohet në futbollin hungarez

Sulmuesi i talentuar tetovar, Alban Taipi, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Hungari te skuadra e Halladash, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për një skuadër të themaluar që në vitin 1919, që aktualisht garon në ligën e dytë hungareze, ndryshe e njohur si Merkantil Bank Liga.

Taipi për disa ditë ishte në prova te skuadra e Halladash, duke bindur drejtuesit e kësaj  skuadre me paraqitjet e tij dhe performancën që tregoi gjatë stërvitjeve, por edhe ndeshjeve kontrolluese që i zhvilloi me skuadrën hungareze.

Taipi kishte shënuar që në ndeshjen debutuese kundër sllovakëve të Petrzhallka,  duke i siguruar fitoren minimale 1:0 skuadrës së tij, ndërsa gjithashtu kishte shënuar edhe ndaj skuadrës nga Katari, Al Ahli (4:0), si dhe ndaj austriakëve të Rapid Vienës (1:2).

19-vjeçari Taipi luajti edhe në ndeshjen gjenerale në Austri kundër skuadrës turke të Sivaspor, ndaj së cilës skuadër Halladash kishte barazuar pa gola.

3 gola në 4 ndeshje, ishin të mjaftueshme që tashmë ish futbollisti i Renovës, Taipi të marrë besimin e drejtuesve të Halladash, që në sezonin e ri do të tentojnë të jenë sa më lartë në renditje.

Sezoni i ri në Ligën e dytë hungareze starton me 31 korrik, ndërsa debutimin e tij me fanellën e Halladash, Taipi pritet ta ketë kundër skuadrës së Csakvari. (infOSport.mk)

Leave a Reply