Voska Sport mund ekipin e Malishevës nga Superliga e Kosovës

Voska Sport ka regjistruar fitoren e saj të tretë nga gjithsej 4 ndeshje të zhvilluara, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, e ku si asnjëherë më parë kjo skuadër do të garojë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtarë i skuadrës shqiptare nga Ohri, ishte skuadra e Malishevës nga Superliga e Kosovës, që gjithashtu po zhvillon fazën e përgatitjeve në Ohër. Kjo skuadër vetëm ditë më parë barazoi 1:1 kundër Laçit nga Superliga shqiptare, ndërsa sot pësoi disfatë 2:1 përballë Voska Sport të Miljan Radoviç.

Behar Fetahi hapi serinë e golave në këtë ndeshje, ndërsa golin debutues me fanellën e Voska Sport, e realizoi edhe Nikolla Sharkoski, i ardhur këtë verë nga rradhët e Rabotniçkit.

Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, ku të dy trajnerët shfrytëzuan edhe futbollistët tjerë që kishin në bankinë, u shënua vetëm një gol, edhe atë nga skuadra mike nga Kosova, që do të vazhdojë edhe më tej të qëndrojë në Ohër.

Kujtojmë, për Voska Sport ishte kjo ndeshja e katërt në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, pas atyre me KF Laçin (1:0), Ohrid Lihnidos (4:0) dhe Skënderbeun (0:2).

Ndeshjen e rradhës skuadra shqiptare nga Ohri do ta zhvillojë me datë 24 korrik kundër KF Arsimit nga Çegrani. (infOSport.mk)

Leave a Reply