Struga Trim Lum shkruan historinë edhe në Europë

Struga Trim Lum me fitoren 4:3 ndaj Buduçnost në Podgoricë të Malit të Zi, sonte ka shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në histori në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e themaluar vetëm 8 vite më parë, që tashmë po bënë gara denjësisht edhe në arenën europiane. Vërtetë histori e bukur kjo, por edhe një ëndërr nga e cila me siguri nuk dëshirojnë të zgjohen si skuadër….

Fitorja e sontme në Podgoricë erdhi falë dyshes sulmuese, Marjan Radeski – Besart Ibraimi, që shënuan të gjithë 4 golat. Pa dyshim ishte kjo mbrëmja e Radeskit, i cili shënoi “tripletën” e tij të parë në garat europiane, duke përsëritur suksesin e partnerit të tij në sulm, Besart Ibraimi, që një gjë të tillë kishte bërë me Shkëndijën.

Radeski golin e parë të takimit e realizoi në minutën e 11-të, kur iu kundërpërgjigjë golit të vendasve të shënuar vetëm në minutën e katërt.

Pas këtye dy golave të shpejtë, pasoi një lojë jo shumë atraktive, me shumë gabime në pasime dhe me shumë ndërhyrje, e ku si pasojë në minutën e 24-të, Mentor Mazrekaj duheshe të braktis ndeshjen, pas dy ndërhyrjeve të njëpasnjëshme brenda pak minutash ndaj tij.

Vendin e Mazrekajt e zuri Hogan Ukpa, i cili doli në skenë mu në momentin e duhur, teksa në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, nga gjithsej 6, udhëhoqi një kundërsulm të Struga Trim Lum, teksa në momentin e fundit pasoi për të disponuarin Marjan Radeski, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi për 2:1 në favor të skuadrës strugane.

Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë pasi në minutën e 8-të shtesë, Vasilij nga goditja e lirë shënoi një gol të bukur për barazim të rezultatit në 2:2.

Pjesa  e dytë nisi sikurse e para, me një tentativë nga ana e futbollistëve tanë, por që tentative e Radeskit me kokë përfundoi jashtë kuadrantit.

Megjithatë atë që nuk arriti ta bëjë Radeski, e bëri Besart Ibraimi, i cili në minutën e 66 pasi pranoi një top para zonës kundërshtare, nuk fali dhe me të majtën e tij shënon një super gol për epërsinë e skuadrës tonë, këtë herë me rezultatin 2:3.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve tanë dhe gjithë bankinës, që festonin  në ato momente, ndërsa në festë shëprthyen edhe në minutën e 74-të, këtë herë duke iu gëzuar golit të tretë personal të Radeskit, me të cilin avansuam me shifrat 4:2.

Buduçnost vazhdoi të shpresoj, teksa në minutën e 82-të, ngushtoi epërsinë tonë në 3:4 falë golit të shënuar nga Sekuloviç. Megjithatë këtu ishte edhe fundi i golave të shënuar, edhe pse pak mungonte që Zguro në minutat shtesë të takimit të shënojë nga gjuajtja e lirë.

Në fund fitore më se e merituar e Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë shkruan historinë më të re, duke u kualifikuar në turin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës, aty ku kjo skuadër do të përballet me ekipin e Swift Hesperange nga Luksemburgu.

Leave a Reply