Kosova me shumë mungesa kundër Andorrës, Gliha flet edhe për incidentin me Zhegrovën

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primozh Gliha ka mbajtur konferencë për media në prag të ndeshjeve ndaj Andorrës dhe Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.

Sa i përket ndeshjes me Izraelin menaxheri i kombëtares, Bajram Shala ka thënë se sipas të gjitha gjasave ajo do të shtyhet për shkak të ngjarjeve në Lindjen e Mesme, por që UEFA ende nuk ka dhënë vendim përfundimtar sa i përket kësaj ndeshje.

E situata në prag të ndeshjes me Andorrën për “Dardanët” nuk është e mirë, duke pasur parasysh faktin se tre lojtarë që ishin pjesë e listës janë lënduar në ndeshjen e fundjavës me ekipet e tyre, Ismajl Beka, Shkëlqim Vladi dhe Leart Paqarada, të cilët do të mungojnë, derisa sa i përket Edon Zhegrovës mbetet të shihet se si do të rezultojnë testet e fundit mjekësore.

Ai ka bërë të ditur se pas këtyre mungesave përzgjedhësi Gliha ka ftuar mbrojtësin e Torinos, Mërgim Vojvoda.

“Në këtë situatë në të cilën jemi aktualisht po thuajse kemi një ekip të ri, ngase kemi shumë mungesa. Andorra është ekip goxha i vështirë për të luajtur, ngase luan mbrojtje shumë të ngjeshur dhe është e vështirë t’i shënosh gol. Mirëpo, në futboll asnjëherë nuk e dimë çfarë mund të ndodhë. Për mua është e rëndësishme që futbollistët nga Superliga e Kosovës, të cilët nuk kanë pasur mundësi të luajnë shumë deri më tash të tregojnë lojë të mirë sepse kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij ekipi”, ka thënë Gliha.

I pyetur rreth rastit në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë me Zhegrovën, Gliha ka thënë se ai ishte një rast i veçantë në një specifike.

“Ishte një rast i veçantë, pasi kishte ndërprerje të gjatë të ndeshjes. Të gjithë lojtarët ishin në presion. Kishim 9 kartona të verdhë, Muriqi u ndëshkua me karton të kuq, Zhegrova po ashtu ishte nervozë dhe kisha frikë për ndëshkime tjera. Përpjekja ime ishte ta inkurajoja shënonte gola. Megjithatë, duket se ky rast se është trajtuar ndryshe nga ç’mendoja”, ka shtuar Gliha.

Ai ka thënë se për shkak të mungesave do të mundohen të adaptohen me sistemin e lojës dhe t’i japë më shumë hapësirë lojtarëve që nuk kanë luajtur aq shumë deri tash.

Leave a Reply