Trajneri i Voska Sport, flet për barazimin ndaj Gostivarit, si dhe ndeshjen ndaj Struga Trim Lum të mërkurën

Voska Sport të dielën barazoi 1:1 në transfertën ndaj Gostivarit, skuadër kjo që deri tek barazimi erdhi vetëm në minutën e fundit të takimit. Skuadra shqiptare nga Ohri kaloi në epërsi në minutën e 65-të me anë të malazezit, Aleksa Marushiç, i cili në këtë mënyrë arriti në shifrën e 10 golave të shënuar në 11 ndeshje.

“Ndeshja kundër Gostivarit na dhuroi një terren shumë të vështirë për lojë, kushtet nuk ishin aq të mira për lojë, mirëpo luajtëm lojën tonë shumë mirë taktikisht, futbollistët ishin shumë të disciplinuar, luftuan në çdo pjesë të fushës, kishim rezultat 1:0 në favorin tonë, mirëpo në fund të takimit pranuam gol. Mirëpo ky është futbolli, edhe kjo është pjesë e lojës, ashtu që në përgjithësi mund të jemi të kënaqur me këtë barazim në një transfertë të vështirë me një konkurrent kryesor, siç është Gostivari, ashtu që duhet të jemi të kënaqur edhe me rezultatin e barabartë.” – është shprehur Miljan Radoviç për faqen zyrtare të skuadrës nga Ohri.

Strategu malazez gjithashtu ka folur edhe për ndeshjen e së mërkurës kundër Struga Trim Lum, e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë.

“Sa i përket ndeshjes së Kupës, ajo është vetëm një ndeshje, është krejtësisht një ndeshje tjetër nga ajo me Gostivarin, do të përgatitemi enkas për këtë ndeshje. Kemi luajtur ndaj asaj skuadre, i njohim mirë, ashtu që nuk ka këtu ndonjë fshehtësi, do të luajmë me gjithë forcat tona, me të gjithë energjinë, dhe do të shohim se si do të përfundoj ndeshja në fund.” – përfundoi Radoviç.

Voska Sport pas 11 xhirove të kaluara renditet në pozitën e 10-të, po aq sa ka edhe Makedonija Gj.P në pozitën e 9-të, por edhe Gostivarin në të 11-tën. (infOSport.mk)

Leave a Reply