Vashat kosovare më të mira se ato të Maqedonisë! I mposhtin midis Shkupit

Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë në konkurrencë të femrave ka regjistruar edhe disfatën e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurat e trajnerit Izov sot në Shkup në kuadër të xhiros së dytë të grupit 5 të në Ligën “C”, u mundën nga Kosova me rezultatin 2:0.

Vashat kosovare e dominuan ndeshjen që nga fillimi dhe krijuan raste të njëpasnjëshme, teksa rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të.

Ishte Valentina Limani, e cila me gjuajtje të fortë e të saktë nga rreth 20 metra arriti ta çojë topin në rrjetën e portës së Magdalena Lekovkës për 1:0.

“Dardanet” vazhduan me lojë të mirë edhe në vazhdim të pjesës së parë, e si rrjedhojë arritën të gjejnë edhe golin e dytë.

Në minutën e 41-të Kaltrina Biqkaj harkoi nga krahu i djathtë, derisa reagimin e dobët të portieres Lekovska e shfrytëzoi Valentina Metaj, e cila nga afërsia shënoi për 2:0.

Edhe në pjesën e dytë futbollistet “dardane” bënë paraqitje të mirë dhe e administruan epërsinë e pjesës së parë, duke mos u lejuar futbollisteve të përfaqësueses së Maqedonisë që të rrezikojnë portën e Alma Demirit.

Pas kësaj fitoreje Kosova ka 4 pikë dhe kryeson renditjen, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e dytë.

Ndeshjen e radhës Maqedonia do ta zhvillojë sërish kundër Kosovës, këtë herë në stadiumin “Fadil Vokrri” me datë 31 tetor me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

Maqedonia e Veriut – Kosova 0:2
Stadiumi: “FFM Training Center” – Shkup
Gjyqtare: Michaela Pachtova, Zuzana Špindlerová, Katka Hruskova (Çeki)
Shënuese: Valentina Limani (20′), Valentina Metaj (41′)
Kartonë të verdhë: Petkova, Maksuti (MV)
Maqedonia e Veriut: Lekovska, Petkova (Mileska), Milchevska, Kolarovska, Evtinxhioska, Velkova, Mustafa (Salihi), Shemsovikj (Petrushevska), Markovska, Roçi, Maksuti.
Kosova: Demiri, Ramaj, Kastrati, Smaili, Kryeziu (Ramadani), Lulaj (Shala), Metaj (Rexhi), Misini, Limani (Guri), Halilaj (Memeti), Biqkaj.

Leave a Reply