Darko Dodev nuk bënë pjesë në planet e Qatip Osmanit, largohet nga Vllaznia!

Vllaznia ka zyrtarizuar largimin e sulmuesit maqedonas, Darko Dodev. Klubi shkodran dhe 25-vjeçari kanë ndërprerë me pëlqim të dyanshëm bashkëpunimin, edhe atë vetëm pak muaj pasi lojtari nga Maqedonia e Veriut kishte zbarkuar në Shkodër nga rradhët e Bregallnicës së Shtipit.

Dodev u aktivizua në 9 ndeshje në kampionat këtë edicion me Vllazninë, por vetëm një prej tyre e luajti si titullar, duke mos lënë gjurmë me fanellën e 9 herë kampionëve të Shqipërisë.

Korrikun e këtij viti, Dodev firmosi një kontratë 3-vjeçare me klubin nga Superliga shqiptare, megjithatë forma e tij e treguar dhe rezultatet larg pritshmërive shtynë palët që të marrin vendimin e një divorci të parakohshëm.

Te Vllaznia duket se kanë nisur punën për merkaton e dimrit, ku fillimisht do të largojnë lojtarët që nuk i cilësojnë më pjesë të projektit, për t’u përforcuar më pas në repartet ku do të kërkojë ndërhyrje strategu tetovar, Qatip Osmani.

Leave a Reply