Xhaka vlerësohet lartë në Gjermani, futet në formacionin më të mirë në Bundesligë

Granit Xhaka është duke e zhvilluar një sezon fantastik me skuadrën e Bajer Leverkuzenit në Bundesligë, aty ku po kryesojnë renditjen me 4 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Bajernit të Munihut.

Granit Xhaka ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rezultatet pozitive të skuadrës nga Leverkuzeni, që stinorin vjeshtorë e mbylli pa asnjë disfatë, duke regjistruar 13 fitore dhe 3 barazime në 16 xhirot e para.

Pikërisht paraqitjet e shkëlqyeshme me fanellën e “farmaceutëve”, bënë që Granit Xhaka të ndodhet në mesin e lojtarëve më të mirë të edicionit aktual në Bundesligë.

Faqja zyrtare e Bundesligës gjermane ka hapur votim për 11-shen më të mirë të stinorit vjeshtor, ku nuk mungon as Xhaka.

Pjesë e formacionit janë edhe portieri Gregor Kobel, mbrojtësit Jeremie Frimpong, Mats Hummels, Kim Min-Jae e Alejandro Grimaldo.

Në mesfushë janë përzgjedhur emrat e Florian Ëirtz dhe Xavi Simons, ndërsa në fazën e sulmit ato të Leroy Sane, Harry Kane dhe Serhou Guirassy.

Xhaka ka zhvilluar 16 ndeshje të Bundesligës, ndërsa ka vrapuar më shumë se çdo lojtar tjetër i elitës, gjithsej 189.7 kilometra.

Ai pati po ashtu më së shumti prekje të topit, 1767 gjithsej, ndërsa pasimet i kishte me saktësi prej 93%.

Gjithë këto parametra bëjnë që Granit Xhaka të jetë me meritë pjesë e formacionit më të mirë të pjesës së parë të sezonit.

Leave a Reply