Sonte në palestrën “Shaban Trstena” luhet derbi KB Çair 2030 – MZT Skopje, flet trajneri Ramadani

Sonte prej orës 20:30 në sallën sportive “Shaban Tërstena” në Çair do të zhvillohet derbi i madh në elitën e basketbollit vendor, midis Çair 2030 dhe liderit të renditjes dhe njëherit kampionit në fuqi, MZT Skopje nga Aerodromi.

Kjo ndeshje do të jetë një sfidë serioze për “djemtë” e trajnerit Erhan Ramadan, i cili për Open-TV u shpreh se me mbështetjen e publikut do të mund të bëjnë historinë që ta mposhtin MZT-në.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Ne jemi përgatitë maksimalisht për këtë ndeshje si në aspektin taktik, por edhe në at mental. Meqenëse kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja ekipet mendoj që me përkrahjen e publikut tonë, i cili çdo herë është lojtari ynë i 6-të do të arrijmë të bëjmë historinë – ta fitojmë MZT-në!”, deklaroi trajneri Erhan Ramadan për Open-TV.

KB Çair 2030 renditet në vendin e pestë të tabelës me 32 pikë, sa ka edhe Euro Nikel në vendin e katërt, kurse me nga 34 pikë tabelën kryesojnë Rabotniçki, MZT Skopje dhe Pelisteri i treti, por këta të fundit e kanë një ndeshje më shumë të luajtur. (Open-TV)

Leave a Reply