Besmir Bojku operohet me sukses, në vizitë qëndroi numri një i ekipit, Mendi Qyra

Besmir Bojku është operuar me sukses mbrëmjen e kaluar në spitalin “8 Shtatori”, aty ku ishte dërguar me urgjencë, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e javës së 24-të, kundër Rabotniçkit në Shkup.

Pas një dueli të ashpër në minutën e 85-të, Bojku kishte pësuar frakturë në këmbën e djathtë, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore, mjekët kishin konstatuar se bëhet fjalë për frakturë të kërcirit, që përbëhet nga dy kocka të gjata tubulare: tibia dhe fibula.

Rehabilitimi do të zgjasë prej 6 deri më 9 muaj, që nënkupton se për Bojkun sezoni aktual, por edhe fillimi i sezonit të ri ka përfunduar që tani.

Ndërkohë, sot në mëngjes në vizitë te Bojku, ishte numri një i Struga Trim Lum, Mendi Qyra, i cili mesfushorit luftarak, i uroi shërim sa më të shpejtë, me shpresë dhe besim se i njëjti në fushat e blerta do të rikthehet edhe më i fuqishëm.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Bojku pritet të rikthehet para fundit të vitit 2024.

Leave a Reply