Dyshja Nuhiu-Bajrami gati për të marrë drejtimin e Gjilanit!

Ardian Nuhiu dhe Muharem Bajrami pas aventurës së fundit te Shkëndija, janë gati për të rifilluar një aventurë tjetër, këtë herë në elitën e futbollit kosovar, ku do të merrnin drejtimin e Gjilanit.

Burime pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se palët tashmë një kohë më të gjatë kanë qenë në negociata dhe se janë duke u precizuar detajet e fundit, që kjo dyshe edhe përfundimisht të ulet dhe të drejtojë një ndër skuadrat më të mira kosovare viteve të fundit, e ku duhet pranuar se kishte edhe disa turbulenca, sidomos pas largimit të udhëheqësisë me në krye Florim Zukën.

Mirëpo tashmë kur situata është stabile, drejtuesit e rinj dëshirojnë që sërish ta rikthejnë klubin në majat e futbollit Kosovar, dhe njëherit në garat europiane, ndërsa pikërisht Nuhiu dhe Bajrami, sipas tyre janë personat e duhur që mund të bëjnë një gjë të tillë.

Tashmë atë e ka dëshmuar vetë Ardian Nuhiu, kur drejtonte rivalët e mëdhenj të Gjilanit, skuadrën e Dritës, skuadër kjo që tashmë udhëhiqet nga një tjetër strateg shkupjan, Zekirja Ramadani, që e kishte ekipin e Gjilanit gjatë sezonit 2022/23.

Të njëjtat burime pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se bashkë me dyshen Nuhiu-Bajrami, te skuadra e Gjilanit mund të zbarkojë edhe Ertan Demiri, një tjetër emër i njohur i futbollit në vend, që do të luante rolin e Drejtorit Sportiv, apo edhe të sakutit.

Mbetet të shihet, si do të rrjedhin gjërat dhe nëse Gjjilani do të bi në duart e shkupjanëve, që deri më tani kanë dëshmuar veten në fushën e futbollit.

Kujtojmë, SC Gjilani me mjaft vështirësi mbijetoi në elitën e futbollit të Kosovës, duke u renditur në vendin e 7-të me 42 pikë, vetëm 1 pikë larg zonës së balotazhit. (infOSport.mk)

Leave a Reply