ZYRTARE, Emir Shabani emërohet Drejtor Gjeneral te Tikveshi

Emir Shabani sezonin e ri do të luaj rolin e Drejtorit Gjeneral te skuadra e Tikveshit nga Kavadari. Një rol të tillë me mjaft sukses, Shabani e kryente te FC Shkupi, me të cilën skuadër ishte i lidhur që nga fëmijëria, shkruan “infOSport.mk”.

Emiri, ndryshe djali i legjendës së skuadrës nga Çairi, Nexhat Shabanit, ishte ndër lojtarët më të dalluar te skuadra e FC Shkupit, për të cilën luajti edhe në kohët më të vështira, kur kjo skuadër garonte edhe në Ligën e Dytë, që më pas një dëmtim i rëndë që në moshë të re ta largojë atë përfundimisht nga futbolli aktiv.

Megjithatë dashuria e madhe që kishte për klubin e fëmijërisë, nuk e largoi atë dot nga Çairi, dhe që në moshë të re ai morri fillimisht postin e Sekretarit të përgjithshëm, e më pas edhe të Drejtorit Gjeneral.

Emir Shabani ishte krahu i djathtë i Presidentit të  kaluar të FC Shkupit, Olgun Ajdin, me të cilin skuadra nga Çairi kishte arritur sukseset më të mëdha.

Ata së bashku pas plotë 21 viteve rikthyen titullin kampion në Çair, ndërsa 7 vite të plota luajtën edhe në garat europiane.

Tashmë këto suksese, Emir Shabani, pritet ti arrijë me Tikveshin, skuadër kjo që sezonin e ri do të jetë nën pronësi të pronarëve turq. Pikërisht pronarët e rinj të skuadrës nga Kavadari, duke parë bagazhin e Emirit, insistuan që pikërisht djaloshi nga Çairi të luaj rolin e Drejtorit Gjeneral edhe te skuadra e tyre, që pritet të luaj një rol të rëndësishëm në Ligën e Parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply