KF Arsimi, skuadër kjo që edicionin e kaluar bëri një super debutim në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, gjatë ditës së sotme është aktivizuar, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me plotë 5 futbollistë, njofton “infOSport.mk”.
Drejtuesit e skuadrës nga Çegrani kanë vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin për dy vite të plota me Sikiru Okanlaëon Olatunbosun dhe Subi Mustafën, ndërsa edhe për një vit tjetër kanë arritur kontrata me futbollistët si, Semir Xhemaili, Bashkim Velija dhe portierin Dejan Siljanovski.
Njëherit ata kanë falënderuar për kontributin e dhënë me fanellën “verdhezi”, mbrojtësin e krahut të majtë Xhezair Avduli, i cili karrierën ka vendosur ta vazhdojë në Shqipëri, duke nënshkruar me skuadrën e Vllaznisë nga Shkodra.
Kujtojmë, ashtu siç ju kishim informuar në mënyrë ekskluzive, pjesë e KF Arsimit në sezonin e ri, nuk do të jetë Asmir Beshagiç dhe Mirnel Huriç. (infOSport.mk)
