Ard Kasami i lumtur për kontratën e re: Struga Trim Lum është familja ime e dytë!

Pas dyshes, Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku, Struga Trim Lum ka njoftuar për vazhdimin e bashkëpunimit për dy vite të tjera edhe me Ard Kasamin, një tjetër futbollistë prej më besnikëve të skuadrës.

Kasami pjesë e skuadrës strugane është që nga  vera e vitit 2018-të, ndërsa në bazë të kontratës së re, ai pjesë e Struga Trim Lum do të jetë deri verën e vitit 2028, duke rrumbullaksuar kështu një dekadë të plotë me fanellën “bardhekuq”.

Kasami edicionin që lamë pas u paraqit në vetëm 3 ndeshje, kjo për shkak të një dëmtimi, që e detyroi atë ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë tashmë i njëjti ka lënë pas dëmtimin dhe i gatshëm pret sezonin e ri, me shpresë se do të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave.

“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e kontratës dhe besimin e drejtuesve që kanë ndaj meje. Struga Trim Lum dhe njerëzit që e rrethojnë këtë klub janë si familja ime e dytë. Sinqerisht u jam shumë mirënjohës, kjo për faktin se në dy periudha shumë të rënda për mua, kur isha i detyruar që të ju nënshtrohem ndërhyrjeve kirurgjikale, ata më qëndruan pranë sikurse familja ime, ashtu që vërtetë jam i lumtur dhe me fat që jam pjesë e kësaj skuadre. Mua tashmë nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm të ju dëshmoj besnikërinë time dhe të jap maksimumin në ndeshjet e sezonit të ri, ku shpresojmë të kemi më shumë fat dhe të jemi pretendent sërish për titull. Struga si qytet, por edhe klubi me këta persona që i qëndrojnë pas, vërtetë e meritojnë një gjë të tillë” – tha Ard Kasami, që me fanellën e Struga Trim Lum numëron gjithsej 143 ndeshje, duke e renditur atë në pozitën e dytë, kur janë në pyetje futbollistët me më shumë ndeshje në historikun e skuadrës tonë.

Para tij, ndodhet vetëm kapiteni Bunjamin Shabani.

Leave a Reply