Sot në elitën e futbollit vendor u zhvilluan dy ndeshjet e para të javës së 10-të, me ç’rast edhe zyrtarisht nisi raundi i dytë, nga gjithsej katër, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e parë, Struga Trim Lum mundi Shkëndijën e Haraçinës me shifrat 2:0, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për vetë kreun e tabelës së klasifikimit.
Fitoren e struganëve në këtë ndeshje e paralajmëroi Besmir Bojku me golin e realizuar në minutën e 9-të, kur me një goditje të fuqishme nuk i dha fare hapësirë portierit vendas Stolevski për të reaguar. Goli i dytë erdhi në minutën e 26-të, pas një penaltie të shkaktuar nga ana e mbrojtësit Martin Todorov, i cili më pas, pas intervenimit të VAR u ndëshkua me karton të kuq.
I saktë nga pika e bardhë ishte Marjan Radeski, që në ato momente shënoi për 2:0, ndërsa për më tepër Shkëndija e Haraçinës mbeti me një futbollistë më pak, që u’a vështirësoi punën atyre, ndërsa në anën tjetër u’a lehtësoi struganëve, që deri në fund mjaft mirë e administruan lojën, duke bërë që me 3 pikë të kthehen në Strugë.
Në ndeshjen tjetër, të zhvilluar në Shtip, Vardari deri tek 3 pikëshi përballë Bregallnicës, erdhi falë një goli të shënuar nga Boban Nikolov në minutën e 24-të.
Me këto 3 pikë, edhe “kuqezinjtë” nga Shkupi arritën në kuotën e 20 pikëve dhe tashmë bashkë me Struga Trim Lum dhe Shkëndijën e Tetovës, që ka një ndeshje më pak, ndajnë pozitën e parë në renditje. (infOSport.mk)
