Messi udhëheq Barcelonën drejt fitores, barazohet në krye të listës së golashënuesve (VIDEO)

Barcelona ka shënuar fitore 3:2 në ndeshjet e mbetur të javës së dytë kundër Atletik Bilbaos në La Liga, me ç’rast afrohet edhe më shumë drejt kreut të tabelës së klasifikimit, duke u renditur tashmë në pozitën e dytë, menjëherë pas dy skuadrave nga kryeqendra spanjolle, Atletiko dhe Real Madrid, njofton “infOSport.mk”.

Lionel Messi edhe njëherë tjetër udhëhoqi “katalunasit” drejt suksesit, duke shënuar dy gola, nga një në secilën pjesë.

Ndryshe fillimi i ndeshjes u takoi vendasve, të cilët avansuan vetëm pas 3 minutave lojë me anë të Inaki Uilliams.

Megjithatë kundërpërgjigjja nga ana e mysafirëve nga Katalunja erdhi vetëm pas 11 minutave, kur talenti i ri i Barcelonës, Pedri, arriti që të shënojë golin e parë në rrjetën e vendasve.

Pedri ishte në qendër të vëmendjes edhe në minutën e 38-të, kur në mënyrë maestrale pasoi për Lionel Messin, ndërsa ky i fundit me të majtën e tij vrastare kaloi për herë të parë Barcelonën në epërsi në këtë ndeshje.

E majta e Messit doli të jetë vrastare për portierin vendas edhe në mintën e 62-të, këtë herë nga brendia e zonës, kur argjentinasi mjaft mirë shfrytëzoi pasimin e Antuan Grizman.

Ndërkohë fare në fund, Muniain me një goditje nga distanca, shënoi një super gol, mirëpo që në fund vlente vetëm për statistikë dhe për të vulosur rezultatin përfundimtarë të takimit, Atletk Bilbao 2, Barcelona 3, transmeton “infOSport.mk”.

Në këtë ndeshje te Atletik Bilbao, debutimin e tij në bankinë e kishte trajneri Marselinjo, i cili e nisi aventurën e tij me disfatë te skuadra baske, mirëpo jo edhe me nënshtrim, pasi skuadra e tij bëri një lojë mjaft të mirë përballë “katalunasve”.

Leave a Reply